Arlinda Çausholli: Treni i harmonisë
Për të tretin vit radhazi, treni i linjës Tiranë-Shkodër mori jetë dhe rrugë me udhëtarë jo të zakonshëm. Dashamirës të muzikës jazz, të finesës, elegancës – jo vetëm fizike – por edhe harmonisë njerëzore, hipën në vagonë të vjetër, të lyer nga duar mjeshtrash, për të ecur prapa në kohë, në vitet 1940 – 1950.
Përtej veshjeve të atyre viteve, përtej njerëzve të bukur, përtej nismës së jashtëzakonshmë që rreh zemrën e një vendi të vogël prej 45 metrash katrorë këtu në Tiranë që quhet “Hemingway”, ky ishte treni i harmonisë.
Në një maratonë muzike swing dhe kërcimi prej 12 orësh, rreth 400 vetë ndenjën bashkë nën tingujt e muzikës së gëzueshme, ritmike dhe ironike.
Hapësirat janë të vogla nëpër vagonë, xhamat thuajse të thyer, copat e tyre janë kapur me ngjitëse transparente, është vapë, por buzëqeshjet dhe dashamirësia ndaj njëri-tjetrit nuk ndalet.
Ky është mbase destinacioni i vërtetë i këtij treni. Njerëzit që e duan mirësinë dhe që vlerësojnë buzëqeshjen e një të panjohuri, t’i çojë aty ku u përket. Edhe pse për pak orë.
Tingujt dhe vallëzimet vazhduan nëpër rrugicat e Shkodrës, në shesh te Kafja e Madhe, te Muzeu i Diktaturës, në kujtim të gjithë atyre që u dënuan pse dashuruan muzikën e huaj, dhe e ulën siparin në Teatrin “Migjeni”.
Për ne që ishim pjesë e rrugëtimit “Andrra N’Tren”, ishte e prekshme, e dukshme, thelbësore, unike, e dëlirtë për t’u parë dhe fantastike për t’u jetuar, që thjeshtësia njerëzore ishte ulur në sediljet më të bukura të Shqipërisë.
Mirënjohje për të gjithë ata që i dhanë jetë andrrës.