Andi Bushati: Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Tahiri?
Saimir Tahiri, i cili u shfaq në publik për të thënë se nuk do e përdorte më mbrojtjen me imunitet që i ka ofruar prej gjashtë muajsh kryeministri dhe partia socialiste, e shfrytëzoi këtë akt për të shpallur dy beteja kryesore.
E para ishte demaskimi i politikanëve që kanë drejtuar vendin në këtë çerek shekulli (afati kohor përfshin këtu edhe Edi Ramën) dhe që nuk kishin epërsinë morale për t’i bërë gjyqin atij.
E dyta qe nisja e një rruge të gjatë si qytetar, tashmë pa korraca mbrojtëse, për të imponuar të vërtetën e tij.
Duhet thënë që në fillim se betejën e parë Saimir Tahiri e ka shumë të lehtë.
Edi Rama, nuk mund t’a imagjinojë t’a quajë atë një “vemje të padenjë për racën njerzore”, sepse gjithçka që ka ndodhur në kohën e ministrit më të suksesshëm të rilindjes, ka pasur edhe bekimin e tij. Mbushja e parlamentit me banditë, uzurpimi i bashkive nga kriminelë në kërkim, favorizimi i bandave në kurriz të njëra -tjetrës, avionët e drogës dhe mohimi i ekzistencës së kanabisit, të gjitha mbajnë edhe vulën e Ramës. Prandaj ai sot nuk ka, as përparësi morale dhe as alibi politike, për t’u distancuar nga ish krahu i vet i djathtë.
Sajmir Tahiri ka të drejtë edhe kur pretendon se këtë epërsi nuk e kanë as Luli me Saliun, që lanë të lulëzonte Lazarati, që i devijuan gjykimit për krimet e Gërdecit dhe 21 janarit, që shmangën proceset për abuzimet flagrante me rrugën e kombit. Çdo qytetar, jo fanatik, teksa e ka dëgjuar të fliste dhe të përlotej, me siguri mund të ketë thënë: “askush nga ata nuk mund të hedhe gurin i pari”.
E njëjta gjë vlen edhe për çiftin në krye të LSI-së. Ata që për hir të pushtetit e pranuan gënjeshtrën se avionët qenkeshin mushkonja, ata që për drogën u kujtuan të flasin në fund të mandatit, sot nuk mund t’a lënë përgjegjësinë tek një njeri i vetëm. Ilir Meta dhe Monika kanë qenë pjesë e atij koalicioni që e mbushi Shqipërinë me mariuhanë.
Pra në këtë kuptim, Saimir Tahiri, nuk është as e vetmja dele e zezë, as e vetmja kokë e denjë për t’u prerë, në atë parlament prej të cilit po largohet.
Nga faktet që ai solli, nga krahasimet që bëri, nga nervi që tregoi, ai me siguri do të ketë bindur shëmëkënd për këtë.
Por, pikërisht këtu qëndron dhe dredhia e tij, Sepse tani përpara Saimir Tahirit nuk shtrohet pyetja: “me kë je njësoj”, por një tjetër, ajo: “çfarë ke bërë ti”?
Sot publiku nuk do të dijë se sa të besueshëm janë “djajtë” që akuzojnë ish ministrin, por se sa të vërteta janë lidhjet e tij me trafikantët, favorizimi i tyre, vënia e komisariatit të Vlorës në dispozicion të Habilajve, “Audi” enigmatik që herë e përdorte njëra palë dhe herë tjetra.
Dhe këtu Saimir Tahiri është i humbur.
Këtu e vërteta dhe e drejta nuk do të anojnë më kurrë nga ana e tij. Edhe në qoftëse prokurorët nuk mbledhin dot fakte, edhe nëse gjykata nesër nuk e dënon dot me prova, ai ka marrë njëherë e përgjithmonë damkën e ministrit të brendëshëm që kanabizoi të gjithë vendin.
Për cilindo qytetar ai është shefi i uniformave blu që e fshehu deri në fund ekzistencën e avionëve të drogës, që në vend që t’i dëgjonte akuzat e Dritan Zaganit, burgosi atë dhe mbrojti trafikantët, që i vazhdoi lidhjet me kushërinjtë vlonjatë edhe pasi opozita e denoncoi këtë marëdhënie okulte, që i shpërfilli të vërtetat e kritikëve vendas, duke i fryrë borive të ‘frontit të së keqes”, që e mbushi policinë me njerëz të inkriminuar, gjysmat e të cilëve sot i ka larguar pasardhësi i tij dhe gjysma tjetër i fshehen fletarresteve të pokurorisë.
Në këtë bilanc të fundëm, rrezulton se përpara se të bënte detyrën që kishte marrë përsiprë, atë të ‘policit” që gjurmon dhe neutralizon të keqen, Tahiri ka bërë avokatin e saj. Në vend që t’i luftonte ai ka qenë prodhuesi i alibive për trafikantët.
Dhe në këtë pikë, ai e ka të humbur betejën edhe me të vërtetën edhe me historinë. Prandaj ai i dredhoi sot përballjes me to, duke e fokusuar fjalën e fundit si politikan, tek “djajtë” që janë të padenjë për t’a anatemuar.