Ndue Ukaj: Liria dhe liria e shprehjes
Sot, në ditën kushtuar lirisë së shprehjes, këshillat e mira, sidomos ato që vijnë nga njerëz të ditur, duhet t’i shfrytëzojmë si terapi për shëndetin kombëtar. Dhe, në këtë rast, na vjen në mendje Albert Camy, shkrimtar jashtëzakonisht i ditur dhe dritëdhënës, i cili për lirinë kështu shkruante:
“Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve”.
Nëse e marrim për bazë këtë që thotë Camy dhe e analizojmë jetën tonë kombëtare, e shohim se, në shumë fusha, te ne ka liri pa kufi.
Në një shoqëri ku ftohet për “debate” soji i Jazexhiut dhe fundërrina të llojit të tij, aty nuk mund të flitet për liri të shprehjes, por për kontaminim të gjuhës, për helm dhe urrejtje. Aty nuk mund të flitet për dinjitetin e njeriut që flet dhe që shkruan. As për ligjërim publik human.
Një shoqëri e tillë, siç thotë një i ditur, shndërrohet në “gërmadhë njerëzish të çorientuar”, dhe aty, lehtësisht promovohet shthurja morale dhe intelektuale.
Në një shoqëri ku intrigat, thashethemet, përgojimet, bëhen tema publike të pëlqyeshme, aty nuk ka kuptim të flitet për liri të shprehjes, sepse aty mungojnë standardet profesionale dhe morale.
Sepse, nuk ka liri të shprehjes aty ku krijohen karagjozë dhe autoritete të rreme që flasin pa pra dhe për çdo gjë.
Shoqëria jonë, ka kohë që e ka bjerrë lirinë e brendshme, lirinë e ndërgjegjes, atë lirinë fondamentale, prandaj sorollatet andej e këndej, pa e ditë nga vjen dhe ku shkon.
Pa e fituar lirinë e brendshme, nuk mund të ketë liri të shprehjes. Mund të ketë vetëm vetëmashtrim të madh.
Shoqëria jonë, më shumë vuan nga liria e pakontrolluar e fjalës, sesa nga mungesa e saj. Dhe, këtë e kemi provuar tash e sa kohë, duke abuzuar me pushtetin e gjuhës.
Gjuha është pushteti që kemi, ndërsa mënyra sesi shkruajmë dhe si flasim, tregon vërtet kush jemi dhe çka përfaqësojmë. Në përkim me këtë, Martin Heidegger, shkruante se “gjuha është shtëpia e qenies”. Pra, në gjuhë banon njeriu dhe bota e tij shpirtërore. Mendimet dhe dëshirat e tij. Në fakt, niveli i emancipimit dhe i kulturimit të një individi apo të një populli, më së miri kuptohen nëpërmjet gjuhës.
Shoqëria jonë topitur, ka vite prej kur nuk e ka përfillë asnjë standard etik të komunikimit. Përkundrazi, përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe të rritës së shtetit tonë, ajo çka kemi promovuar dhe lejuar të promovohet, është murtaja e gjuhës dhe e abuzimit, e intrigave dhe mashtrimit. Gjuha e urrejtjes dhe e frikës. Angaria e plotë. Injoranca me tonelata. Kjo amulli, ka krijuar hapësira për profetë të rremë, karagjozë e mediokër, të cilët, kanë vërshuar në sferën publike, si ushujza.
3 maj 2018.