Apeli i UEFA-s lë në fuqi vendimin për Skënderbeun
Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane të Skënderbeut dhe gjobën prej 1 milion eurosh, pas seancës së para pak ditëve ku dëshmuan edhe disa prej lojtarëve dhe ish-lojtarëve kyç të korçarëve. Lajmi konfirmohet nga vetë klubi korcar përmes një deklarate.
“Sot, më datë 4 Maj 2018, Komisioni i Apelit i UEFA-s shpalli vendimin mbi ankimin e paraqitur nga KF Skënderbeu.
Siç ishte paralajmëruar dhe pritej, asnjë ndryshim nga vendimi pararendës nuk është bërë nga Komisioni i Apelit, pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga pala jonë në seancën dëgjimore të datës 26 Prill 2018.
KF Skënderbeu bën me dije se, brënda afateve ligjore, do të paraqese ankim në CAS, ku do të parashtrohen të gjitha faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s. Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues.
KF Skënderbeu është i sigurt në pafajesinë e plotë të kujtdo lojtari apo zyrtari të klubit. Për këtë, të gjitha rrugët e mundshme ligjore do të ndiqen për mbrojtjen e integritetit dhe arritjeve tona historike”, thuhet në deklaratën e klubit.
Skënderbeu akuzohet për trukim ndeshjesh gjatë fazave kur klubi shqiptar luante në Kupat e Europës. Mbetet për t’u parë se cfarë vendimi do të marrë Gjykata Sportive. Por sidoqoftë gjasat janë që ky vendim të kërkojë disi kohë, cka praktikisht do të thotë që klubi korcar nuk mund të luajë në Kupat e Europës në sezonin që vjen.