Albspirit

Media/News/Publishing

ÇFARË DO TË VENDOSË TRUMP PËR IRANIN?

A do të hedhin poshtë SHBA marrëveshjen me Iranin duke rrezikuar kështu përplasje politike në arenën ndërkombëtare? Presidenti Trump pritet në orët e mbrëmjes të së martës të bëjë të ditur vendimin e tij, u shpreh ai në twitter. Deri të shtunën presidenti Trump kishte kohë për t’u shprehur për të ardhmen e Iranit. Më 12 maj përfundonte afati ligjor brenda të cilit duhej vendosur, nëse rivendosen apo jo sanksionet kundër Iranit, të zbutura mbi bazën e marrëveshjes atomike.

Mendohet, se Trump mund të rivendosë masat ndëshkuese, pa e prishur marrëveshjen e vitit 2015. Por faktikisht një rivendosje e sanksioneve do t’i jepte një goditje të rëndë marrëveshjes. Irani në këmbim të shfuqizimit të masave ndëshkuese premtoi të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit. Me këtë Republika Islamike nuk është në gjendje të ndërtojë bombën atmoike.

“Marrëveshja më e keqe e të gjitha kohërave”

Trump e ka kritikuar që në fillim marrëveshjen e arritur nën paraardhësin e tij, Barack Obama. Ai e ka cilësuar atë si “marrëveshjen më të keqe të të gjitha kohërave”. Kështu shihet si shumë i shkurtër afati i disa kufizimeve të vendosura deri në vitin 2025. Marrëveshja nuk përcakton hollësi për programin e raketave balistike të Iranit dhe rolin e Teheranit si faktor destabilizues në rajonin e Lindjes së Mesme.

Gjermania dhe Franca e kanë paralajmëruar Trump disa herë të mos e shfuqizojë marrëveshjen atomike. “Ne mendojmë se kjo do të sjellë shkallëzimin e situatës”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pas takimit me homologun francez, Jean-Yves Le Drian në Berlin. Me këtë marrëveshje bota është më e sigurtë, se pa të.

Edhe ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson u përpoq të bindë Donald Trump. Madje me një mënyrë shumë të veçantë, duke përmendur dhënien e çmimit Nobel për Paqen. “Nëse ai arrin të vendosë rregull me Korenë e Veriut dhe të mbajë marrëveshjen atomike me Iranin, atëherë nuk e kuptoj, pse ai duhet të jetë një kandidat më pak i përshtatshëm se nobelisti Barack Obama, që e mori çmimin para se të bënte diçka”, tha Johnson, që ndodhet në SHBA për të biseduar me përfaqësues të qeverisë amerikane. Një takim me Donald Trump nuk është planifikuar./DW/

Please follow and like us: