Trump njofton tërheqjen nga marrëveshja me Iranin
Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke u dhënë një goditje aleatëve të SHBA dhe potencialisht duke thelluar izolimin e presidentit në skenën botërore.
“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime të zbrazëta”, tha ai në një fjalim që u transmetua në televizion.
Vendimi i Presidentit Trump nënkupton se qeveria e Iranit duhet të vendosë nëse do tërhiqet ashtu si SHBA, apo do të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga marrëveshja. Irani ka ofruar deklarata kundërthënëse në lidhje me vendimin që mund të marrë dhe përgjigja mund të varet nga mënyra se si saktësisht Presidenti Trump tërhiqet nga marrëveshja.
Presidenti Trump tha se do të rivendoste të gjitha sanksionet ndaj Iranit, të cilat ishin hequr nga marrëveshja e vitit 2015, jo vetëm ato që skadojnë së shpejti.
Mbështetësit e idesë për ta ndrequr marrëveshjen shpresonin se zoti Trump do të zgjidhte një qasje që mund të linte më shumë hapësirë për ta ndryshuar qëndrimin më vonë nëse do të siguronte kufizime shtesë nga ana e vendeve evropiane që po përpiqeshin pa sukses për të negociuar me të.
Megjithatë, administrata ka planifikuar të lejojë një periudhë prej së paku tre muajsh dhe ndoshta deri në gjashtë muaj, në mënyrë që bizneset dhe qeveritë të mund të mbyllin operacionet që shkelin sanksionet e rivendosura nga SHBA.
Një proces i ngadalshëm i tërheqjes mund të lejojë më shumë hapësirë që zoti Trump të prapësojë qëndrim më vonë dhe të vendosë t’i rikthehet marrëveshjes.