Albspirit

Media/News/Publishing

Lediona Braho: E dashur L!

E dashur L!

Sapo u zgjova nga gjumi. Kam fjetur plot katërmbëdhjetë orë! A e di sa ditë kisha pa vënë gjumë në sy? Mbi një javë! Çdo natë jam përpëlitur në shtrat si një kavie në një kuti laboratori. Nejse… Kjo nuk është as hera e parë, as e fundit…

Sapo e lexova letrën tënde. Je mirë? Shpresoj të jesh, përndryshe do të detyrohem mos të të takoj më… Nuk e kuptoj përse i shkel rregullat me të dyja këmbët. Meqë i ke harruar, më duhet të t’i kujtoj. Rregulli ynë i parë dhe i pakontestueshëm ishte: JO emocion! A duhet ta përkthej më shqip këtë?

Unë jam ende përgjumësh dhe nuk e di nëse po bëj mirë që po ta shkruaj këtë letër. Madje, mirë do qe mos të të ktheja fare përgjigje. Ndonjëherë, mendoj se e ke hak ndëshkimin dhe indiferencën.

Sot jam i lumtur, i qetë. Kam fjetur plot katërmbëdhjetë orë. Mamaja ishte bërë merak, imagjinoje! Kishte njoftuar policinë. Ndërsa babai nuk ka qenë mirë këto kohë, është shtruar në spital se vuan nga tensioni. Pyes veten: kur do shpëtojë një herë e mirë? Më erdhi pak keq vetëm që mamaja ishte shqetësuar, por nuk kisha ç’të bëja. Duhej të flija, kisha ditë që nuk vija gjumë në sy.

T’i kthehem letrës… Më pëlqen mënyra sesi i përshkruan ti gjërat, vetëm se… ti sheh atë që do të shohësh. E mbaj mend atë natë… Rruga ishte me njerëz, binte shumë shi dhe nuk vallëzuam në rrugë. U futëm me vrap në makinë dhe biseduam gjatë për kinematografinë dhe muzikën, deri në orët e para të mëngjesit. Më pas, të përcolla deri në shtëpi, sepse duhet të nisesha urgjentisht për në spital, tek babai (të kujtohet që më thirri disa herë ime më, derisa u detyrova t’i përgjigjesha?).

Besoj e vure re se unë nuk kisha gjumë as atë natë. A e di sa netë kisha pa fjetur? As vetë nuk e mbaj mend. Është bërë aq e zakonshme, saqë kam harruar të numëroj edhe ditët.

Sot është e shtunë. Ti e di që të shtunën jam i lirë nga ora gjashtë e pasdites deri në dhjetë të darkës. Nëse edhe ti je e lirë, më shkruaj. Nuk e di a do të mundem të dal, por nëse ti më thërret, besoj se do ta gjej fuqinë. Vetëm më njofto dy orë para që të ngrihem nga krevati dhe të bëj një dush.

Mirupafshim,

K

p.s. Po të kthej fotografinë që më dhe herën e kaluar.

Please follow and like us: