Albspirit

Media/News/Publishing

Nga 200 Petrita në 200 Skiftera!

-Satirë nga E. Kaceli

Fort i dashtun Kryetimonieri pa patentë i makinës së rrënueme të vendit tim! -Je nish pasha te madhin Zot! Je njish e çfarë njishit!

Je hero! Je yll! Je boss! (Jo boss i krimit siç te thonë ata blutë që nuk kanë lidhje me uniformat e policisë që aq fort e duam)!

Je lider! Je kryelider!Je largpamësi ma i math që historia moderne shqiptare e këtyne viteve mas 90-es ka njoftë!

Ja kalove dhe Berishës. E ç’dreqin asht Sala përpara tejet! Ai ishte mjek jo timonier! E në tepsinë e Saliut hanin të gjithë!

Je aq i aftë, aq i përgatitun politikisht e mendërisht, sa i le të gjithë në bisht të karrocerisë së shtetit shqiptar!

Ke ba shtet! dhe vazhdon me ba shtet! Përqiell e përdhè!

Shtet e çfarë shtetit! He të na e rroç sa malet e Veleçikut, Taraboshit, Nemërçkës etëtjerë, e të tjerë! Marrç sa më shumë nga ditët e tua!

E nise historinë shtetformuese bash si Komandanti ynë Legjendar, me dyqind Petrita (rilindës). E rilinde gjithkah ku kalove. E rilinde aq fort, shtetin, sa edhe rilindasve të shquar iua harruam emrin!

Le në hije edhe vetë Heroin Kombëtar, kur ajo Petritja (e nji prej dy qinshes), ia dhjeu Heroit duke të nxjerre para të gjithëve si Skënderbeu i Vërtetë, në versionin mik i ngushtë me turqit!

Rrugës me gropa të historisë moderne të shtetformimit rilindas pate edhe ndonjë problem të vogël, ndonjë tra të thyer, ndonjë grusht miell turinjve, ndonjë mollatartë të kuqe, e të pjekun fort, ndonjë kokërr vezë… Por ti Lideri ynë i math, e largpamës, vijove rrugën me vendosmëri të pashoqe!

I ndjekun, marrisht, gjithëherë, prej dyqind Petritave që për asnjë çast nuk të lanë vetëm! Edhe pse, në ecje e sipër, i hodhe nga makina njërin pas tjetrit!

Tash në ditët e mbrame të rilindjes, që e rilinde aq shumë sa ia shkatrrove organin e pjellorisë, kur baj dy llogori më dalin prapë dyqind të fillimit!

Por jo dyqind Petrita! Dyqind Skiftera!

Vetëm një Lider largpamës si ju, mund ta bënte këtë shëndrrim gjigant!

E na njerëzia e thjeshtë, që nuk kuptojmë asgjë nga shtet-bamja, e shtet -dreqtimi, vërejmë me gëzim të math shëndrrimin e dyqind Petritave në dyqind Skiftera!

Nga ata Skifterat që lanë nam vilave e pallateve të botës, duke ia ngritë zanin Shqipërisë e duke ndihmu me forcë të jashtëzakonshme në integrimin e sajë europian!

E këta dyqind Skifterat kanë nevojë për Kryeskifterin!

Të paçim e të daçim o Kryeskifteri ynë i pavdekshëm!

Please follow and like us: