Si e vranë serbët Elez Isufin bashkë me nipin e tij?
Roland Qafoku*
Ku ishin kryengritjet, atje ishte Elez Isufi Ndreu. Kështu ndodhi në mars të vitit 1912 kundër serbëve në Malësinë e Dibrës. Kështu ndodhi në nëntor të vitit 1912 po kundër serbëve. Kështu ndodhi në dhjetor 1915 me ushtrinë serbe, e cila arriti deri në Durrës.
Kështu ndodhi dhe në gusht të vitit 1920 po kundër ushtrisë serbe që dërgoi Beogradi për ta eliminuar atë dhe mbështetësit e tij.
Kështu ndodhi në 1921 kur mercenarë bjellorusë në ushtrinë serbe tentuan ta vrisnin.
Në mars 1922 Elez Isufi organzoi kryengritjen e parë me armë ndaj qeverisë shqiptare. Të gjitha betejat i kishte bërë ballë për ballë, deri më 16 dhjetor 1924 në orën 11.00, kur vetë Elez Isufi mbeti i vrarë pas shpine.
Qe një plagosje që i shkaktoi vdekjen 14 ditë më vonë. Në orën 01.00 të 30 dhjetorit të atij viti ai ndërroi jetë i dergjur në shtratin e tij në kullë.
SKENA E VRASJES
Edhe pse nuhatja dhe intuita ishte cilësia e tij më e mirë, Elez Isufit nuk i shkoi mendja në jetë se vdekja do t’i kishte ardhur nga një tradhti .
Ndodhej në kazermat e Ali Rizait në Peshkopi, kur kuptoi se ishte tradhtuar në momentin kur një batare pushkësh u drejtuan ndaj tij dhe nipit të vet Suf Xhelilit.
Duke u larguar nga kazerma i pari u qëllua dhe vdiq në vend Suf Xhelili, ndërsa Elez Isufi mori dy plumba në bark dhe u rrëzua në tokë.
Ashtu të plagosur e dërguan në kullën e vet dhe aty pas dy javësh ndërroi jetë.
SI U ORGANIZUA VRASJA?
Momentin e vrasjes së Elez Isufit e ka treguar në kujtimet e tij historike bashkëkohësi Ismail Strazimiri, zëvendësprefekt i Dibrës.
“…zunë me ra si breshëri plumbat e kundërshtarëve n\oborr të kazermës, atëherë u çue Sul Xhelili dhe duel jashtë kthinës. Atë e ndoq mbasandej edhe Elez Isufi.
Suf Xhelili u vra tue zbrit nga nji mur i ulët i oborrit të kazermës, kurse Elez Isufi u plagos n’oborr. … Elez Isufi i
plagosun me dy plumba nën kërthizë, ndërroi jetë natën e 29-30 dhjetor 1924”.
Vrasja ishte tradhti e pastër. Këtë e konfirmon përsëri bashkëkohësi i vet, Strazimiri.
“Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shenjuem. Ndërkohë u vra Murat Qerrja dhe u plagos Nesim Ahmeti, Osman Musai, Mehmet Elezi të gjithë nga Dardha dhe besnikë t’Elezit”.
Ndonëse me nënkupton, këtë version e jep edhe vetë Elez Isufi pak momente përpara se të vdiste kur ndër fjalët e fundit tha:
“Nëse do t’i shpëtoj vdekjes, nuk do merrem më me njerëzit, por me kafshët”.
Por ka edhe një version, sipas të cilit vdekja e tij ishte më shumë një vullnet i vetë Elez Isufit.
Kur mësoi se i nipi, Suf Xhelili, ishte vrarë, ai nuk pranoi që mjeku t’i hiqte plumbat që kishte në trup, duke e shoqëruar me fjalët:
“Paska qenë e thënë që të iknim bashkë nga kjo botë”
Vargu i njerëzve që shkuan në varrimin e tij ishte nga më të gjatët që janë parë jo vetëm
në atë zonë.
NDERSHMËRIA E ELEZ ISUFIT
Pa shkollë, pa ndonjë kulturë dhe edukim ekstra, Elez Isufi megjithatë kishte disa cilësi natyre që e bënë të hynte në histori. Jo vetëm trimëria e tij është proverbiale, por kësaj cilësie ai i kishte shtuar edhe një tjetër, ndershmërinë.
Do të çuditej gjithashtu edhe një gjeneral serb që teksa i shkoi në kullë i bëri disa oferta në vlerë monetare vetëm që ai të mos kundërshtonte marrjen e disa tokave brenda kufirit shqiptar.
Elez Isufi shikonte aty pranë disa fëmijë dhe i tha gjeneralit serb:
“Shihni, zotni! Edhe me dashtë unë, plaku, me e tradhëtue Shqipninë, nuk më lane këta fëmijë”.
Ky ishte Elez Isufi, një plak që përfaqësonte cilësitë më të mira të shqiptarit patriot e që luftoi me zemër dhe shpirt për Shqipërinë, por që mbeti i vrarë për këtë Shqipëri nga shqiptarët që bashkëpunuan me të huajt.
10 fakte
- Elez Isufi ishte një prijës çetash kryengritjesh nga fshati Sllovë i Dibrës kundër pushtimit serb.
- Elez Isufi ishte një njeri i paarsimuar, por me një zgjuarsi natyrore dhe me autoritet në familjen e vet, por edhe në të gjithë zonën e Dibrës.
- Elez Isufi ishte djali i Isuf Ndreut, njeriu simbol i rezistencës kundër pushtuesve serbë.
- Elez Isufi trashëgoi kullën e familjes Isufi, një minikështjellë e ndërtuar në tokat e familjes në Lisivalle të Dibrës, në vitin 1884.
- Gjatë pushtimit osman Elez Isufi ishte mbrojtës i pasurisë së të pasurve dhe pashallarëve të nënprefekturës së Rekës nga kusarët.
- Elez Isufi ishte i pasur pikërisht prej pagesave të mira që merrte për mbrojtjen që u bënte atyre nga grabitësit.
- Elez Isufi ka qenë disa herë drejtues i formacioneve fshatare të zonës, në mbështetje të disa lëvizjeve kundër qeverive të ndryshme në Shqipëri.
- Rasti më historik është ai i marsit 1922 që teksa sulmoi Tiranën me forcat që komandonte, e detyroi qeverinë të largohej në Elbasan.
- Vetëm besa që i dha Ahmet Zogut si ministër i Brendshëm solli paqen pas asaj lëvizjeje.
- Elez Isufi u dekorua më 28 janar 1916 nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me Kryqin e Konturës së Oficerëve.
10 mistere
- Përse Elez Isufi shkoi në kazermën e Ali Rizait në Peshkopi?
- Përse Elez Isufi tentoi të largohej nga kazerma pas thirrjes së Suf Xhelilit se ishin të rrethuar?
- Përse e cilësuan si triumf futjen në kazermë pas plagosjes së Elez Isufit, Fiqiri Dines, Hysni Demas, Sul Shehut dhe Aqif Lleshit?
- Kush i mbështeteste ata që sulmuan Elez Isufin dhe Suf Xhelilin?
- Cilët ishin ata që e ngritën kurthin ndaj tij dhe ata që e shoqëronin?
- A ishte vrasja e tij tentativa e fundit e armiqve të Shqipërisë në bashkëpunim me ata shqiptarë për të eliminuar fizikisht atë që u prishte punë?
- Kujt i interesonte më shumë vrasja e Elez Isufit?
- Përse shoqëruesit e Elez Isufit ishin të paktë në numër, ndërkohë që kurdoherë ku kishte luftuar kishte pasur shumë mbështetës?
- Përse figura e Elez Isufit është lënë në harresë nga historiografia jonë?
- Përse për shumë e shumë vite nuk është kërkuar zbardhja reale e vrasjes së Elez Isufit?