Albspirit

Media/News/Publishing

Doktor Hasan Kurti – Historia e mjekut elbasanas që u shndërrua në një libër të suksesshëm në Itali

     Image result for irma kurti              

 

 

 

-Pas vdekjes së babait, shkrimtarja Irma Kurti rrëfen copëza kujtimesh dhe flet për romanin “Në mungesë të fjalëve” që lindi mbi ditarin e tij

 

 

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti tregon: “Im atë ishte njeri me kulturë e mentalitet të hapur. Na ka përkrahur, që kur ishim fëmijë, mua e motrave për të ndjekur dëshirat tona, për të recituar apo për të kënduar në skenën e festivaleve në teatrin “Skampa”.

Ishte i pasionuar pas mjekësisë dhe letërsisë. Ruaj me fanatizëm blloqet e tij me fraza e paragrafë të shkëputura nga kryevepra të autorëve shqiptarë e botërorë. Këtë pasion ma transmetoi mua duke më shoqëruar në rrugëtimin e letërsisë deri në vitet e fundit të jetës së tij. Im atë më ndihmonte, më inkurajonte, por ishte dhe tepër kërkues, nuk më thoshte kurrë “të lumtë!”.

Shpesh, gjatë këtyre viteve në Itali, më thoshte: “Sa çudi, shoh në ëndërr gjithmonë Elbasanin dhe veten – mjek në spital, duke bërë radioskopi e duke u shërbyer pacientëve”. Por kjo s’përbënte asnjë çudi për mua: puna ishte jeta e tij dhe ai ndjeu vërtetë keqardhje kur iu desh të dilte në pension.

Në shkurt të vitit 2014, pak ditë përpara se të pësonte një iktus, babai më dorëzoi çfarë kishte më të shtrenjtë: ditarin me fragmente nga puna dhe jeta e tij; historinë e një fëmije jetim, të braktisur nga fati, por me vullnet të jashtëzakonshëm për të realizuar ëndrrën për t’u bërë mjek.

Sëmundja e ndryshoi raportin tonë: ne s’mund të flisnim më si më parë, s’mund të ndanim kujtimet, mallin për vendlindjen, mendimet për artin, letërsinë. Por ajo s’e ndryshoi dashurinë që babai më falte, përkundrazi, ajo u ridimensionua.

Në ato çaste, unë iu ktheva ditarit, që tani për mua përbënte një thesar të rrallë: e mora në duar, lexoja dhe shkruaja. Romani “Njeriu që fliste me pemët” i botuar në gjuhën italiane me titullin: “In assenza di parole”(Në mungesë të fjalëve) lindi kështu. Ai është pritur shumë mirë nga kritika italiane. E kam prezantur në plot qytete të Italisë dhe kudo është ndjekur me kërshëri dhe interes.

Me rastin e 23 prillit 2018, Ditës Botërore të Librit isha e ftuar në bordin e anijes Grimaldi Lines. Gjatë udhëtimit, ashtu si dhe në Barcelonë, pranë stendës së autorëve italianë firmosa kopje të tij për shumë lexues. Kjo është lumturia më e madhe: babai im, doktor Hasan Kurti dhe historia e tij jetojnë në faqet e këtij libri, që i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë”.

 

Jetëshkrimi

               

 

Hasan Kurti lindi në 6 maj të vitit 1933 në Vidhas të Elbasanit.

Ai mbeti jetim që kur ishte fëmijë dhe në moshën 7-vjeçare, për shkak të varfërisë ekstreme, largohet nga shtëpia për të shërbyer në një familje. U detyrua të bëjë punë të rënda bujqësore, me lodhje dhe mundim, midis dhunës fizike dhe psikologjike.

Fillon të mësojë si audodidakt, por ëndrra për t’u arsimuar iu realizua pas çlirimit të Shqipërisë.

Shkollën fillore e kreu në Bradashesh.

Në vitin 1949 filloi klasën e pestë me korrespondencë, studionte vetë e jepte provimet. Në darkë drejtonte një kurs kundër analfabetizmit për moshat e rritura. Klasën e 6-të dhe të 7-të e përfundoi në shkollën shtatëvjeçare “Naim Frashëri”.

Për t’u takuar me ministrin e atëhershëm të Arsimit, Kahreman Ylli dhe për t’i kërkuar një bursë për vazhdimin e shkollës së mesme, udhëton mbi një kamion mallrash nga Elbasani në Tiranë dhe po atë natë fle në lulishten e Rrugës së Elbasanit, për të trokitur përsëri të nesërmen në dyert e ministrisë së Arsimit.

Fëmijëria e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjeve kishte zgjuar tek Hasan Kurti dëshirën për t’u bërë mjek e për të ndihmuar më të dobëtit e të pafatët. I jepet e drejta e studimit dhe më vonë fiton bursën për në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, në Rrugën e Dibrës.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në korrik 1954, doktor Hasani emërohet në Qendrën Sanitare, shef i Epidemiologjisë në Elbasan. Emërimi në punën e re koinçidon me përhapjen e epidemisë së kollës së mirë e, më vonë, me epideminë e fruthit – morbilli. Për të punuar atij i duhej të shkonte në zonën e Shpatit: në Gjinar dhe në Zavalinë apo në zona të tjera duke ecur për shumë orë në këmbë në kushtet e mungesës së rrugës së makinës.

Në vitin 1956 filloi Fakultetin e Mjekësisë. Studionte në mënyrë sistematike. Mësimdhënien profesionale e kreu me profesorë si Ylli Popa, Fejzi Hoxha, Përparim Tepelena, etj.

Pas mbarimit të Fakultetit, në shtator të vitit 1962 fillon zyrtarisht punën pranë Kombinatit të Drurit në Elbasan.

Dr. Vil Mazreku, që punonte në Qendrën Sanitare, në sektorin e sëmundjeve ngjitëse, i propozon të shkojë në vendin e tij në Kombinat dhe kështu, doktor Hasani rikthehet në Qendrën Sanitare në sektorin Epidemiologjik, ku kishte punuar dikur si ndihmësmjek.

Në shtator të vitit 1964 shkon në Tiranë për t’u specializuar në Rontgen Diagnostikë Radiologji. Pas përfundimit të specializimit fillon punën si mjek radiolog në Spitalin Civil në Elbasan.

Në 2 shkurt 1965, në një festë të thjeshtë e pa ceremoni martohet me bashkëshorten e tij, Sherife Mezini, që punonte në Bankën e Shqipërisë në Tiranë. Nga kjo martesë lindin tre vajza.

Pas shumë vitesh pune në spital transferohet në ambulancën e qytetit të Elbasanit, ku ushtron profesionin e mjekut radiolog në kushte jo të lehta, me orare të tejzgjatura, me një fluks të madh njerëzish si dhe me radiacion të lartë të rrezeve rontgen.

Del në pension në vitin 1993.

Në qershor 1995 transferohet familjarisht në Tiranë. Në 2006 shpërngulet së bashku me të shoqen në Itali, pranë vajzave.

Pas vdekjes së gruas i dedikohet, për vite me radhë, dorëshkrimit të jetës dhe kujtimeve të punës si mjek, që ia dorëzon përpara se të sëmurej, vajzës së tij, shkrimtares Irma Kurti.

Mbylli sytë përgjithmonë në 19 prill 2018 në Bergamo të Italisë.

Në shënimet e tij, doktor Hasani shkruan: “Një nga mësuesit e mi të parë, Kostaq Xhuvani, një ditë, kur kisha mbaruar mësimin dhe po largohesha me një grup shokësh, më thirri dhe më tha: “Shiko djalë, ti ke rezultate shumë të larta në mësime. Të këshilloj që të mos e ndërpresësh shkollën, por të ecësh më tej!”. Kjo këshillë ishte nxitje në çdo hap që kam hedhur në rrugën e shkollimit”.

Për kushtet e vështira të punës doktor Hasani shkruan: “Kudo takonim varfëri, por mbi të gjitha, një mikpritje të madhe. Nuk ndjeja aspak lodhje, por vetëm kënaqësi kur shpëtoheshin dhjetëra jetë fëmijësh”.

Është dalluar gjithmon për pasion, përgjegjësi dhe përkushtim, i gatshëm për të shkuar në çdo orë të natës në spital e për t’iu gjendur pranë pacientëve në situatë kritike. I heshtur dhe pafjalë, por i guximshëm dhe me kurajë për të evidentuar dhe zgjidhur probleme të organizimit e përmirësimit të kushteve të punës. Njihej si njeri modest, zemërgjerë, tolerant dhe i edukuar.

 

 

Please follow and like us: