Albspirit

Media/News/Publishing

PD publikon bisedën e vëllait të Xhafajt

Në Shqipëri Partia Demokratike publikoi sot regjistrimin audio të një bisede që sipas saj është zhvilluar mes vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe një ish të dënuari në Itali për trafik droge, për ta ndihmuar këtë të fundit që të sigurojë një ngarkesë me marijuanë, deklaruan në një konferencë shtypi demokratët. Partia socialiste reagoi menjëherë për kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla, i cili kërkoi që prokuroria të nisë menjeherë hetimet për të provuar vërtetësinë ose jo të pretendimeve të ngritura nga opozita.

0:000:03:370:00

Direct link

Prej ditësh Partia demokratike po akuzon drejtpërdretë ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me të vëllanë e tij, të arrestuar në Itali në vitin 2002 për pjesmarrje në një organizate kriminale që merrej me trafik droge e të dënuar në vitin 2012 nga gjykata italiane me 7 vjet e dy muaj brugim.

Sot demokratët publikuan rregjistrimin audio të një bisede që sipas tyre është zhvilluar, mes një ish të dënuari në Itali, të cilin ata e identifikojnë si Bashkëpunëtori X dhe vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Koha kur është realizuar ky takim nuk është bërë e ditur. Të dy sipas Partisë Demokartike kanë bashkëpunuar më parë në trafikun e drogës, dhe në bisedën e zhvilluar në një lokal, ish i dënuari i kërkon ndihmë vëllait të Xhafajt për të siguruar sipas demokratëve një ngarkesë me marijuanë.

Pjesë nga biseda e publikuar nga PD-ja:

Bashkëpunëtori X – Mirë vëlla mirë. Dëgjo, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…

Agroni- Një herë më ke marrë mua në telefon ti. Ndonjë gjë tjetër ça ke bërë?

Bashkëpunëtori X – Hiç, ja erdha për atë që të thash, për të bërë rrugën

Agroni- Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.

Agroni- Përmend një fjali me 5-6 fjalë, por nuk kuptohet mirë.

Agroni- Do të të çoj unë te Ermali ore, është shumë im i ngushtë.

Bashkëpunëtori X – Të faleminderit shumë. Se erdha ngaqë jam keq vlla, se nuk erdha nga e mira.

Agroni- Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko edhe vëllanë (Fatmir Xhafaj). Shumë fare po na e sulmojnë. Të jetë hera e parë dhe e fundit.

Bashkëpunëtori X – E mirë vlla mirë.

Agroni- Mirë pra, ndonjë gjë tjetër çar ke bërë?

Bashkëpunëtori X – Hiç asgjë.

Agroni- Na kanë nxjerrë emrin. Mos më bjer më në qafë, aman të keqen! Ata të tjerët në Itali, e shikon (thote 2-3 fjalë që nuk kuptohen, sepse fjalin njëkohësisht me Bashkëpunëtorin X).

Bashkëpunëtori X – Mirë vëlla mirë, (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen) Ne duke pirë kafe jemi, s’e vrasim mendjen.

Agroni- Ndonjë gjë tjetër nga shpia?

Bashkëpunëtori X – Mirë të gjithë. Ti vetë?

Agroni- Mirë, mirë

Bashkëpunëtori X – Mirë o vlla rrofsh, faleminderit.

Agroni- Po na sulmojnë ata, keq fare.

Bashkëpunëtori X – Mirë, mirë.

Agroni- Kalofsh mirë.

Bashkëpunëtori X – Falemiderit njëherë për të gjitha. S’të nxjerr asnjë problem. Rrofsh edhe për kafen.

Agroni- Aman o të keqen vllai, hera e parë dhe e fundit, mos më bjer më në qafë.

Bashkëpunëtori X – Po ik o se s’të bije më në qafë, po kisha një problem se kam një hall edhe unë. Ta bëra si vëlla.

Agroni- Po gjërat nuk e shikon si janë?

Bashkëpunëtori X – Se e njohim njëri – tjetrin.

Agron – Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore.

Bashkëpunëtori X – Mirë o mirë, hajde rrofsh. Flas unë me Ermalin. Pa merak.

Agroni- Te Ermali vëlla.

Sipas deputetit Ervin Salianji, vëllai i ministrit vazhdon aktivitetin e narkotrafikut “por i pa prekshëm përsa kohë është vëllai i Ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt. Fatmir Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit”

I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste përmes kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla, i cili kërkoi që regjistrimi t’i vihej në dispozicion organeve të Drejtësisë, sikundër tha se “Prokuroria nuk duhet t’ja lërë këtë çështje vullnetit të akuzatorëve, por duhet që në mënyrë të menjëhershme të fillojë hetimet kryesisht, sepse jo vetëm ne, por çdo shqiptar i zakonshëm në këtë vend meriton të dijë të vërtetën edhe për këtë pretendim. Për ne, askush nuk është më mbi ligjin dhe askush nuk e bën ligjin dot në këtë vend përveç organeve të drejtësisë”.

Zoti Xhafaj është vënë nën akuzë nga demokratët se i ka siguruar mbrojtje vëllait të tij e se madje për këtë ai ka ndërhyrë për të bërë një ndryshim dh në Kodin e Procedurës penale, në nenin për ekstradimet. Por sot kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe relatori për ndryshimet në Kod, Ulsi Manja hodhi poshtë këtë pretendim: “Ky draft, dhe posaçërisht neni 491, gërma “f” për të cilën hedh baltë nga mëngjesi deri në darkë opozita, ka qenë i reflektuar jo vetëm në draftin e diskutimit në grupin e punës të ekspertëve, por në datën 12 mars, një ditë përpara se sa Komisioni i Ligjeve të fillonte diskutimin dhe miratimin në parim të projektligjit për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penal, ka qenë i shpërndarë në variantin e integruar”, deklaroi zoti Manja.

Ndaj drejtuesit të Komisionit të Ligjeve, reagoi kreu i grupit të Lëvizjes socialiste për Integrim Petrit Vasili, ish ministër i drejtësisë, duke folur për një mashtrim të radhës të kolegëve të tij socialistë. “Pranuan që ky nen dhe ky ndryshim nuk ishte bërë prezent dhe nuk ishte hedhur në procesverbalin e punës së komisionit, që është detyrim ligjor përpara se ligji të shkojë në seancë. Pra ndryshimi nuk u tha, nuk u evidentua, nuk u verbalizua, u fut tinëz si një lojë emailesh, duke shndërruar komunikimin serioz, komunikimin zyrtar, në lojë emailesh, në lojë Whatsapp-esh, në lojë twitterash dhe lojë e të gjitha mjeteve informale të komunikimit”, theksoi zoti Vasili.

Please follow and like us: