Albspirit

Media/News/Publishing

PD: Xhafaj kërcënoi Ramën se do rrëzonte qeverinë

Partia Demokratike ka reaguar me anë të deputetit Enkelejd Alibeaj pas konferencës së Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Fatmir Xhafaj ndoshta nuk ka një dosje aq të pasur sa të Saimir Tahirit për Edi Ramën, por ai njësoj si Tahiri, paralajmëroi Ramën se largimi i tij do ta thotë rënie e qeverisë! Për të bërë këtë kërcënim për Ramën, Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se po bashkëpunon me djallin për të rrëzuar qeverinë. Por kjo është më e parëndësishmja dhe pjesë e luftës së tyre të brendshme për pushtetin e kriminalizuar deri në palcë!” – tha Alibeaj

Partia Demokratike këmbëngul se përgjimi audio është i vërtetë dhe këtë e dinë Xhafaj dhe Rama.

“Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj u dërgua në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figurë! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës apo Fatmir Xhafajt rezultate ekspertize nga laboratorë apo agjensi të paidentifikuara!” – thotë Alibeaj.

“Është gënjeshtër dhe mashtrim përgjigja e tij se nuk është subjekt i ligjit Antimafia! Është gënjeshtër dhe mashtrim se ai nuk i pengon hetimet për vëllain trafikant droge nga detyra e Ministrit të Brendshëm! Është kriminale akuza e Fatmir Xhafajt se opozita vepron për llogari të interesave kriminale!” – përsërit PD.

Deputeti demokrat thotë se opozita nuk trembet nga kërcënimet e Ramës me burg, por do të vazhdojë të denoncojë këtë çështje.

Please follow and like us: