Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Nderi dhe ndershmëria, rasti Blumberg

1 Frank shkreli (2)

 

Këtu në Shtetet e Bashkuara është traditë që në këtë stinë të vitit, universitetet amerikane të organizojnë ceremoni për të diplomuarit, ndërkohë që zakonisht ftojnë personalitete të njohura nga jeta publike, përfshirë politikanë, biznismenë, por edhe individë të dalluar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, për të këshilluar studentët e sapo diplomuar nga kolegjet dhe universitetet, për jetën që i pret në botën reale.

Universiteti Rajs në qytetin Hjuston të shtetit Texas organizoi një ceremoni të tillë të shtunën që kaloi ku i ftuar si folësi kryesor ishte biznesmeni, filantropisti dhe ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Blumberg.  Z. Blumberg, i cili njihet, përveçse si biznismen dhe politikan edhe si njëri prej filantropistëve më të njohur të kohës tonë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, u foli studentëve të universitetit Rajs në Teksas mbi nderin dhe ndershmërinë, si cilësi tepër të rëndësishme njerëzore për çdo person dhe shoqëri.  Natyrisht, se ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili vite më parë flirtoi me idenë për të kandiduar për president si kandidat i Partisë Republikane, u foli studentëve amerikanë, por që këshillat e tija për rëndësinë e nderit dhe të ndershmërisë, për të jetuar dhe për të vepruar me nder, me drejtësi dhe me ndërgjegje, janë të rëndësishme për çdo person dhe për cilindo shoqëri kudo në botë. Po të kishte nder dhe po të veprohej ndershmërisht, shoqëria ku jetojmë dhe kjo botë në përgjithsi do të ishte një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë ne.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja e juaj”, e filloi fjalën e tij Z. Blumberg duke iu drejtuar të diplomuarve, por dua tu flas, theksoi, ai për domethënjen e fjalëve: “nderi dhe nderëshmëria”.  Ai tha se fjalët “nderi” dhe “ndershmëria” kanë pothuaj të njëjtin kuptim. “Të jesh i ndershëm duhet të kesh nder, e kjo do të thotë të thuash të vërtetën me nder dhe të veprosh nderëshmërisht – madje edhe kur të kërkohet që të pranosh gabimet dhe të pësosh edhe pasojat.”  Zoti Blumberg shtoi se angazhimi ndaj ndershmërisë është një përgjegjësi personale dhe njëherazi edhe një “përgjegjësi patriotike”, siç e quajti ai.  Nderi dhe ndershmëria, janë cilësi të cilat i kërkojmë në udhëheqsit tanë – pra duam udhëheqës të pastër, të moralshëm dhe të panjollosur, vlera këto që janë tepër të rëndësishme dhe që vlerësohen kur një udhëheqës i posedon ato, ishte mesazhi i tij.

Ai përmendi si shembuj të udhëheqsve të ndershëm ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Uashingtonin dhe Abraham Linkolnin, të cilëve nënvijoi ai, jo vetëm që me të drejtë u thuren lavde për arritjet e tyre në përgjithësi, por që historia i njeh tanimë edhe për nderin e tyre personal dhe për qëndrimet e tyre të ndershme dhe të moralshme, në zhvillimet politike të vendit në kohën që ata kanë udhëhequr Amerikën. “Ne shikojmë integritetin dhe moralin e tyre si një pasqyrim i nderit dhe ndershmërisë tonë, si komb”, u tha Z. Blumberg të diplomuarve në unversitetin Rice të Hjustonit.  Duke iu referuar atmosferës aktuale politike në kryeqytein amerikan, Z. Blumberg u shpreh duke thënë se “Ç’ka dreqin ka ndodhur?  Ai citoi ish-senatorin amerikan të ndjerin Patrik Mojnihan, se “Njerzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por jo faktet e veta”, faktet duhet të jenë fakte, për të gjithë.   “Për brezin tim, e vërteta rreth Amerikës – liria, mundësitë për të shkuar përpara dhe begatia që gëzonim – ishin avantazhet tona më të forta në periudhën e luftës së ftohtë. Sa më shumë që komunistët kishin lajme të vërteta, aq më shumë liri kërkonin. Ne e besonim këtë dhe për këtë kishim pasë të drejtë”, duke shtuar se sot fatkeqsisht, shumë prej udhëheqësve në nivele të larta të pushtetit e “shikojnë të vërtetën si një kërcënim” dhe refuzojnë të përballen me të.   Zoti Blumberg tha se, këta udhëheqës, “E kanë frikë të vërtetën. Ata e përgnjeshtrojnë dhe e sulmojnë atë, pikërisht, ashtu siç bënin dikur komunistët.”

“Shoqëritë e lira varen nga qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se gënjeshtrat në radhët e përfaqsuesve të qeverisë, nuk duhet të injorohen.  Kur zyrtarët e zgjedhur me votën e popullit flasin sikur ata janë mbi të vërtetën, ata do të veprojnë edhe sikur janë mbi ligjin. Dhe kur ne si qytetarë tolerojmë mos-ndershmërinë në radhët e pushtetarëve, atëherë pasoja është kriminalizimi i shoqërisë.  Herë të tjera paraqitet si abuzim i pushtetit, e shpeshë herë si kombinim i të dyja këtyre fenomeneve.  Nëqoftse këto dukuri nuk kontrollohen, ato abuzime mund të çojnë në përkeqësimin e institucioneve të cilat mbrojnë dhe mbështesin të drejtat dhe liritë tona dhe njëherazi mund t’u hapin derën tiranisë dhe fashizmit”, këshilloi Majkël Blumberg të diplomuarit e rinjë amerikanë në Teksas.

Por Z. Blumberg tha se “ekziston diçka shumë më e rrezikshme se politikanët e pa ndershëm të cilët nuk respektojnë ligjin – e ata janë grupe të tëra njerzish në një shoqëri, përkrahës të tyre, të cilët mbrojnë dhe justifikojnë çdo gënjeshtër të politikanëve”.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, biznismeni dhe filantropisti i njohur botërisht , Z. Majkël Blumberg përfundoi fjalimin e tij duke i paralajmëruar studentët  kundër shfaqjeve të besnikërisë qorre ndaj partive politike, pasi tha, “Kur njerzit e shikojnë botën si një betejë midis të majtës dhe të djathtës, ata nga natyra bëhen më besnikë ndaj fisit ose partisë se sa ndaj atdheut, ndërkohë që ruajtja e pushtetit dhe jo përparimi, bëhet objekti kryesor i luftës, ndërkohë që e vërteta dhe ndershmëria janë viktimat e para të kësaj lufte”, nenvijoi ai.  Ai u kujtoi studentëve fjalët e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtonit, i cili qyshë atëherë kishte paralajmëruar mbi rrezikun, duke e cilësuar pasionin që njerëzit kanë për partitë politike, “si armikun më të rrezikshëm të demokracisë” dhe si para-ardhës të tiranisë.

Nderi dhe ndershmëria janë me rëndësi për çdo shoqëri, sidomos në radhët e politikanëve.  Majkël Blumberg i foli një brezi të ri amerikanësh dhe i porositi për rëndësinë që bartin për një shoqëri moderne si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderi dhe nderëshmëria, sidomos në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve të këtij vendi.Por edhe për botën shqiptare kishte shumë rëndësi dikur cilësia e njeriut të ndershëm. Urimi, “qofsh me nder” ishte pjesë e përshëndetjes në vatrat tona, aty ku stërgjyshërit tanë na mësuan me ruajtë nderin, burrëninë, besën dhe dashurinë për atdhe, si cilësi dalluese të racës sonë. I takon kësaj breznie politikanësh që të angazhohet ndaj nderit dhe ndaj nderëshmërisë, si virtyte të vjetra të kombit, pikëspari në marrëdhëniet me njëri tjetrin, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me popullin shqiptar. Betohuni se, nepërmjet të vërtetës — me nder dhe nderëshmëri—mbi të gjitha do ti shërbeni interesave të Kombit Shqiptar dhe jo interesave personale dhe të partive politike.  E përsa u përket votuesve shqiptarë, këtë betim dhe përgjegjësi ndaj nderit personal dhe kombëtar të pushtetarëve që keni zgjedhur për tu udhëhequr, duhet tua kërkoni çdo ditë dhe pa kompromis! Këtë e kërkon nderi i shqiptarit!

Please follow and like us: