Viron Kona: Pas dasme
Rrëfenjë gazmore
Për dasmën e të birit,
në ftesën e parfumuar bëri dhe një njoftim:
të ftuarit të vinin e të gëzonin n`atë dasmë,
veç ai s`pranonte prej tyre asnjë shpenzim.
Donte t`i kënaqte të ftuarit e shumtë,
në dasmën që s`ishte parë në ato anë,
të mos e harronin madhështinë e saj,
me valle, këngë, verë dhe shampanjë.
Të ftuarit ia mbërritën me qejf,
dasma u krijoi vërtet kënaqësi,
vallëzuam, bën humor e gëzuan,
gjithçka kaloi mirë e mrekulli.
Në fund kur të ftuarit po linin dasmën,
ai doli në derë e nisi t`i përshëndeste,
e ndërsa miqtë i shprehnin kënaqësinë,
ai u jepte nga një zarf me një 10 mijë lekëshe.
“-Ju lutem, i merrni këto pakë para,
do t`ju isha mirënjohës po t`i pranoni,
nesër pini një kafe me miq dhe shokë,
dasmën e tim biri dua t`mos e harroni!”
Miqtë e ftuar ndiheshin të befasuar,
e merrnin disi me zor darovitjen e tij,
kurse ai ngulmonte me dashamirësi:
“Ju lutem mos m`i ktheni, miqtë e mi”!
Kur gjithçka po shkonte për bukuri,
një i ftuar, ia ktheu zarfin mbrapsht:
“Unë erdha këtu për të nderuar zotëri,
ndaj mos më përcill sikur jam lypsar!?”
Pastaj kur s`kishin kaluar pak sekonda,
një dasmorë tjetër erdhi vrullshëm tek ai,
ishte daja i nuses, një burrë trupmadh,
që i tundi 10 mijëshen e i sokëlliu në sy:
-Si ore krushk më dhe` vetëm 10 mijë lekë,
mua që jam daja i nuses, i pari krushqisë,
nga 10 mijë lekë u dhe` edhe sehirxhinjve,
çiliminjve, shoferëve dhe gjithë fqinjësisë”!
U trondit dhe u hutua akoma më shumë,
kur i erdhi xhaxhai i bërë prush në fytyrë,
i hodhi zarfin me 10 mijëshen te këmbët,
e i bërtiti sa u tundën muret e shtëpisë:
“-Je në vete o nipçe, apo ke shkalluar,
po bën budallallëk me brirë këtë herë,
mua po më krahason me nipin e gruas,
që është vetëm një copë kamerier?!”
“Na dole aguridh, i tha me ironi halla e vogël,
e bëre si lopa, që kovën me qumësht shkelmon,
për çfarë të duhen shkollat e gradat shkencore,
kur fisin, me të ftuarit e zakonshëm barazon!”
Pranë iu afrua njëri nga shokët më të ngushtë,
e si t`i jepte një “dush” t`mirë, i tha me qesëndi:
“S`na darovite siç duhet as ne shokët e zemrës,
na dhe` njëlloj si të tjerët, vetëm nga 10 mijë!”
Të ftuarit largoheshin duke murmuritur,
u dallohej hapur shprehja e pakënaqësisë,
ndiheshin të fyer me të zotin e dasmës,
që i kishte trajtuar njëlloj “si këmbët e dhisë!”