Policët e dorëhequr nga vetingu duhet të kthehen në punë
Çerçiz Loloçi
Nuk ka dyshim se skandali me Fatmir Xhafën, një jurist mediokër por shumë i aftë për t’iu përshtatur pushteteve të Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majko dhe sidomos kryerilindësit Edi Rama (natyrisht duke i paguar me një kamatë gjithnjë në rritje sipas lëvizjes së valutës), është më i rëndë se ai me Saimir Tahirin sepse lidhja e tij me vëllain, dënuar në Itali me vendim të formës së prerë me 7 vjet e disa muaj për trafik ndërkombëtar të kokainës, është më i rëndë se ajo e kontakteve kiminale me kushërinjtë e largët të Saimir Tahirit.
Përtej të dy rasteve, asnjë Ministër i Brendshëm apo një titullar i dikasterit të lartë, nuk mund të bëjë si të dojë, nëse nuk ka dakortësinë e kryeministrit. Nuk ka asnjë dyshim se kanabis dhe kokainë ka pasur edhe në qeverisjen e demokratëve, por nuk ka dhe nuk besoj të ketë qoftë edhe një fakt që ministri i Brendshëm apo një ministër tjetër të bëhet palë me baronët e krimit.
A duhej vetingu në Policinë e Shtetit? Sigurisht, por kjo mund të bëhej për drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariatit dhe jo për hallexhinjtë, që në çdo rast janë më të përgjegjshëm dhe më të justifikuar se sa ministri aktual i Brendshëm.
Video e përgjimit është shumë anësore përballë ballafaqimit që bën ky ministër i Brendshëm me homologët europianë që nga një anë përbetohet për luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe nga ana tjetër nis ilegalisht vëllain e vet, si kurban dhe për të mbajtur me çdo kusht postin shtetëror. Kjo është e turpshme dhe jashtë çdo standardi.
Në këtë këndvështrim policët që nuk kanë arritur të plotësojnë formularët, tip hetuesie të Krujës nga vjen edhe karriera e Xhafës, janë të lutur të kthehen në detyrë sa kohë që vetë titullari i tyre nuk denjon të dorëhiqet me një vëlla të dënuar ndërkombëtarisht në Venezuelë dhe Itali për trafik heroine. Shoku Fatmir të sjell ndër mend atë shprehjen e priftit orthodhoks: “Mos bëni si bëj unë, por siç them unë”.