Nishani, thirrje për bashkim: Na thonë trafikantë, por ne nuk jemi ashtu
Ish-presidenti Bujar Nishani në një reagim të tij ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për audiopërgjimin e PD, e cila implikon vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj.
Nishani shkruan se i pari i qeverisë thotë me gojën plotë dhe pa ju dridhur syri se ‘unë e bëra ekspertizën e përgjimit’, dhe pa e patur fare përgjimin, ‘unë e di të vërtetën’ dhe pa e ditur fare historinë”.
Ish-kreu i shtetit paralajmëron se e keqja ka mbërritur fundin dhe se qytetarët duhet të qëndrojnë në këmbë e të bashkuar.
Postimi i plotë
Të dashur miq, e keqja ka kapur fundin.
Platforma qeveritare e kanabizimit të vendit përveçse i minoj kolonat kryesore të një shoqërie demokratike: institucionet, ekonominë, zgjedhjet, më shkatërruese solli damkosjen e imazhit tonë si popull në sytë e të gjithë Evropës.
Ne nuk jemi popull trafikant siç na e nxinë faqen këta !
Korrupsioni endemik i zyrtarëve dhe zyrave të shërbimit po duket si “një karramele” përballë korrupsionit të parasë së pisët të narkotrafikut që ka përlyer zyrtarë e jo zyrtarë, por të gjithë rrogëtar dhe pengje të trafikantëve.
Kjo maxhorancë e shkallmoj nga themelet serioziterin, dinjitetin, tabanin e konceptit “qeverisje”.
Shpresa dhe besimi, për këtë vend, për njëri-tjetrin është “knock down”.
Rinia, i varfëri, i kamuri, i punësuari, i papuni, bisnesmeni, zyrtari, i madh e i vogël, duan të ikin ! Të ikin e veç të ikin!
Po e zhbëjnë këtë vend.
E qorrollipsën tërë dynjanë veç në 5 vjet qeverisje.
I pari i qeverisjes, i pari i vendimarrjes, i pari i pushtetit, i pari i përgjegjësive, më kryesori që duhet të ruajë besimin dhe garancinë e të gjithë të tjerëve thotë me gojën plotë e pa ju dridhur syri :
“ unë e bëra ekspertizën e përgjimit” dhe pa e patur fare përgjimin,
“unë e di të vërtetën” dhe pa e ditur fare historinë,
“unë ju akuzoj” dhe pse trafikantin e degdisi që ta fshehë, ……etj, etj, etj.
E keqja ka mbërritur fundin.
Qytetarët duhet të qëndrojnë, në këmbë, përball, të vendosur, të bashkuar kundër të keqes.
Koha për të qëndruar ka nisur Miq!