Manjani: Basha bëri mirë që i tërhoqi njerëzit, në Greqi do ishin djegur qytete
Ish ministri i LSI-së, Ylli Manjani vlerësoi veprimin e Lulzim Bashës për të tërhequr protestuesit në momentin kur përplasja me policinë po bëhej më e fortë. Sipas Manjanit është e vërtetë që në Francë apo Greqi, për të njëjtën kauzë do të ishin djegur qytete, por sipas tij, kreu i PD veproi për të mos lejuar skenare të padëshiruar. “Çdo protestë është e mirë, nuk është e thënë që të vriten njerëz që të quhet protestë. Ne po përjetojmë për herë të parë policinë dhe ministrinë e Brendshme të jetës së njeriut, pasi hyn në jetën e çdo njeriu, kontrollon çdo gjë. Dëmi që i sjell trafiku i drogës një shteti është shumë më i madh se një mllef i shkaktuar në ditë proteste. Kam përshtypjen se në Greqi e Francë do ishin djegur qytetet, por këtu nuk ndodh. Basha bëri mirë që i tërhoqi njerëzit dhe nuk la që të zhvillohej ndonjë skenar i padëshirueshëm”, u shpreh Manjani gjatë një interviste për News24. Sipas Manjanit, mes protestuesve kishte shumë mllef dhe opozita deri tani ka pasur një aksion për t’u lavdëruar. “Kemi një qeveri që vetëm bën propagandë, e tani na shfaqet si qeveri që zhduk prova. Bën të këqija dhe zhduk provat, nxjerr opozitën gënjeshtare. Kemi pasur përpjekjen e opozitës, që ka bërë një punë të lavdërueshme me thënë të drejtën. Nxorrën prova, dhe tani u finalizuan me një protestë. Ishte një pjesëmarrje shumë e mirë. Kishte një lum njerëzish, shihej një potencë e jashtëzakonshme antiqeveritare. Kishte goxha mllef. Unë isha në mes të njerëzve që nxirrnin mllef. Nuk mendoj se shqiptarët kanë indiferencë për çështje politike. Ata marrin pjesë në politikë në mënyrën e tyre, secili ka mendimin e vet. Marrin pjesë në zgjedhje. Ajo që e ndan opinionin publik nga e vërteta janë analistët për fat të keq”, tha Manjani.