Albspirit

Media/News/Publishing

Synohet hapja e një Katedre të Albanistikës në Kroaci

Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka pritur sot në takim anëtarët e Grupit të Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat.

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, në takim u diskutua rreth bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Kroacisë në rrafshin parlamentar, me theks të veçantë, në sferën e legjislacionit.

Gjatë këtij takimi, u fol edhe për krijim e katedrave gjuhësore, në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetit të Zagrebit. Kjo platformë, mundëson krijimin e katedrës së gjuhës kroate në Universitetin e Prishtinës dhe Katedrës së Albanistikës në Universitetin e Zagrebit.

U diskutua edhe rreth strategjive dhe normave ligjore, të cilat aplikohen nga Komisioni homolog i Komisionit për Legjislacion në Kroaci.

Përfaqësues të grupit të miqësisë nga tabori kroat, theksuan nevojën që Kosova të vazhdojë me përmbushjen e kushteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të arrihet sa më shpejt liberalizimi i vizave. Miqtë nga Kroacia shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në çdo proces dhe sfidë, duke bërë të ditur se Kroacia ka qenë, është dhe do të jetë shtet mik i Kosovës.

Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci i Parlamentit kroat, është pritur edhe nga kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha- Shala, e shoqëruar nga deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e komisionit.

Gjatë takimit u vlerësua se raportet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë duhet ruajtur dhe kultivuar edhe më tej në dobi të të dyja vendeve, ndërkaq, u vu në dukje se në këtë fazë të zhvillimit ekonomik të vendin tonë, është e domosdoshme përkrahja dhe investimi nga jashtë./express/

Please follow and like us: