Manjani: Ja si bëhet ligjërisht ekspertiza e zërit të Agron Xhafës
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, të hënën, tregoi procedurën ligjore që duhet të realizojë prokuroria për akt-ekspertimin e audio-përgjimit, të publikuar për herë të parë nga Partia Demokratike dhe ku vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj akuzohet se është pjesë e trafikut të drogës në Vlorë.
Manjani në studion e emisionit ‘Opinion’, deklaroi se dy personat që komunikojnë dhe janë personazhe në audio-përgjim, duhet të thirren dhe të shkojnë tek zyra e ekspertit dhe të realizojnë regjistrimin.
Ish-ministri i Drejtësisë, theksoi se akt-ekspertim do të thotë vetëm atëherë kur ata dy personazhe, duhet të jenë prezent dhe të flasin, si dhe të lexojnë tekstin e dhënë, që të jetë i besueshëm nesër nga gjykata.
Sipas tij, kjo është procedura ligjore që duhet të ndiqet në lidhje me këtë rast, çdo gjë tjetër është e kotë dhe i shërben manipulimit të provave dhe të vërtetës.
Manjani: Të dy personat duhet të shkojnë tek zyra e ekspertit dhe të realizojnë regjistrimin. Me qëllimin se ky akt-ekspërtimi të jetë i besueshëm nesër nga gjykata dhe kjo është procedura. Historitë e tjera janë përralla. Ai mund të dalë se zëri nuk është origjinal, por një gjë të tillë na e ka thënë kryeministri. Pse të harxhojmë lekët tek italianët. Ky është muhabet kot. Edhe njëherë, ekspertim do të thotë: personat që dyshohen se kanë qenë personazhe të audi-përgjimit, të jenë prezent dhe të flasin, të lexojnë atë tekstin dhe kjo është procedura ligjore në këtë rast.