Albspirit

Media/News/Publishing

Parlamenti i Shqipërisë nënshkruan memorandum mirëkuptimi me OSBE dhe Ambasadën e Zvicrës

 

Një marrëveshje midis OSBE, Ambasadës së Zvicrës dhe Kuvendit të Shqipërisë hap rrugën për projektin më të ri në mbështetje të Parlamentit i cili nis në Shtator 2018. ‘Mbështetje për Përlamentin dhe Edukimin Civil në Shqipëri’ – PACEP – kërkon të përmirësojë funksionimin e institucionit kryesor legjislativ në Shqipëri.

Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Gremminger dhe ambasadorin zviceran Christoph Graf, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi i cili premton bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje për parlamentin.

“Qëllimi i këtij memorandumi është mbështetja e Kuvendit të Shqipërisë për të përmirësuar funksionet ligjvënëse dhe mbikqyrëse, dhe për të mbështetur administratën e Kuvendit në përputhje me funksionet e veta”, tha Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi.

“Rëndësia e këtij projekti është se ai bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare për të rritur llogaridhënien e Parlamentit kundrejt qytetarëve shqiptarë. Pas adoptimit të këtij projekti, sfida tani është zbatimi i tij. Së bashku me Parlamentin shqiptar dhe me Ambasadën e Zvicrës ne kemi identifikuar hapat e mëtejshëm për të forcuar Parlamentin dhe marrëdhënien me qytetarët”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së i cili ndodhet në Shqipëri për vizitën e tij të parë zyrtare.

“Kam shumë shpresë se në fund të këtij projekti – PACEP – Parlamenti do të përfaqësojë më mirë vullnetin dhe shqetësimet e qytetarëve, do të mbikqyrë më mirë pjesën ekzekutive të qeverisë, dhe do të bëjë ligje më të mira dhe të konsultuara më gjerësisht”, tha Ambasadori zviceran pas nënshkrimit.

Memorandumi krijon themelet për bashkëpunim midis OSBE-së dhe Parlamentit me fonde dhe ekspertizë zvicerane, për të mbështetur Parlamentin gjatë katër viteve të ardhshme. Mbështetja do të shkojë dret përmirësimit të rolit të trefishtë të Parlamentit: përfaqësimi i votuesve; ligjvënia me në bazë më të gjerë konsensusi; dhe mbikqyrja e punës së qeverisë. Përveç punës së drejtpërdrejtë me Parlamentin, projekti i ri gjithashtu do të synojë të edukojë publikun për një rol më aktiv civil që do të thotë më shumë hapësirë dhe mundësi që qytetarët t’u kërkojnë llogari deputetëve të Parlamentit.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar për të rritur kapacitetet e Parlamentit të Shqipërisë që nga 2002 duke përmirësuar strukturat administrative dhe vendim-marrëse, duke përditësuar proçedurat dhe praktikat, dhe duke mundësuar shkëmbime me parlamente të tjera.

Projekti i ri është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran 2018-2021 dhe është hera e parë që mbështetja zvicerane shtrihet edhe për organin legjislativ më të lartë në vend. Financimi vjen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Please follow and like us: