Maqedonia e Veriut, MEPJ përshëndet marrëveshjen për emrin
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, përshëndet nënshkrimin e marrëveshjes historike për emrin të arritur mes kryeministrave Tsipras dhe Zaev.
“Nga Prespa piktoreske që bashkon tre popujt dhe vendet tona fqinjë, qytetarët e dy vendeve, të rajonit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, u bënë dëshmitarë të një faqeje të re të fqinjesisë së mirë dhe bashkëpunimit me kah evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrise.
“Kjo është koha e zgjidhjeve madhore në mbarë rajonin tonë, bazuar në vullnetin e përbashkët për stabilizim përfundimtar të hapesirës ku gjendemi me synimin për ta bërë atë pjesë të pandarë të Bashkimit Evropian. Inkurajojmë të dy vendet për përmbylljen e të gjithë hapave për hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Kjo marrëveshje i shërben miqësisë, prosperitetit e perspektivës evropiane të dy vendeve dhe qytetarëve të rajonit tonë”, mbyll njoftimin ministria e Jashtme.
Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, nënshkruan të dielën marrëveshjen për ndryshimin e emrit të ish Republikës Jugosllave në “Republikën e Maqedonisë Veriore”.
Marrëveshja historike u nënshkrua pas dekadave të bisedimeve, të cilat kishin përkeqësuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe penguan pranimin e shtetit ballkanik në Bashkimin Evropian dhe në NATO, anëtare e të cilave është Greqia.
Marrëveshja duhet të miratohet nga parlamentet e të dyja vendeve dhe do të hidhet në referendum në Maqedoni.