Zgjedhje të parakohshme? Malltezi: PD të jetë e besueshme
Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Turizmin në PD, tregon rrugët që e çojnë opozitën drejt pushtetit, por prej saj kërkon që të jetë e besueshme para shqiptarëve. Malltezi thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja para se të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duhet të bëhet alternativë më e besueshme dhe të përballet me forcë dhe dinjitet përballë një qeverie të lidhur me krimin. Sipas tij, PD-ja më mirë në opozitë sesa e përlyer me korrupsionin. Zyrtari i lartë demokrat nuk përjashton mundësinë e një koalicioni PD-LSI për zgje-dhjet e ardhshme lokale. Jamarbër Malltezi i kujton PD-së se duhet të bashkojë të gjithë opozitën kundër qeverisë “Rama”, të cilën e quan një shkretëtirë.
Z.Malltezi si e konsideroni aksionin e ndërmarrë nga opozita kundër krimit dhe lidhjeve me politikën? Kjo betejë e bëri më të fortë opozitën apo dështoi përballë mosdorëheqjes së Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm?
Kjo është një betejë e duhur, që i bën nder opozitës dhe i bën nder vendit. Mund të fitosh ose humbësh beteja në politike, por e rëndësishme është të jesh në anën e së vërtetës, që kur të shohësh veten më pas, të ndihesh mirë se ka mbrojtur një standard dhe ke ruajtur një raport të ndershëm me të vërtetën. Sa më gjatë e shtyn agoninë z.Rama, aq më rëndë do të jetë për të pasi opozita po i bën nder vendit. Çfarë nuk pranohet për policinë e thjeshtë, nuk mund të pranohet për ministrin, përndryshe do ishim në një dyfytyrësi, një standard të dyfishtë.
Në gjykimin tuaj opozita duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme, apo të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale?
Opozita duhet të punojë për të fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve. Duhet të punojë me njerëzit dhe për njerëzit. Duhet të demonstrojë që është në sinkron me nevojat dhe dëshirat e shqiptarëve, duhet të theksojë çështjet me rëndësi për vendin dhe të rrisë besueshmërinë që këtë zezona nuk do përsëriten më dhe që keqbërësit do i dërgojë të përballen me një drejtësi të pakapur nga asnjë palë. Duke kryer këto detyra, opozita ngrihet në nivelin e kërkesave të kohës, bëhet alternativë më e besueshme dhe të përballet me forcë dhe dinjitet me të keqen në cilindo skenar.
…Dhe si mund të bëhet e besueshme?
Duke punuar me njerëzit dhe për njerëzit, duke shënuar hallet e tyre dhe duke iu rikujtuar gënjeshtrat dhe mashtrimet e përditshme të qeverisë, duke bashkuar çdo kontribut opozitar, duke u mbajtur fort me të vërtetat e dhimbshme dhe duke ofruar më shumë shpresë se aeroporti. Këtu qeveria ka vrarë shpresën dhe 500,000 shqiptarë (1/6 e popullsisë) ia kanë mbathur duke kërkuar azil a thua se Shqipëria është në lufte civile, apo është ndonjë shkretëtirë, ku toka nuk prodhon asgjë. Duhet të bashkohemi dhe të shohim përtej inateve të momentit për hir të së ardhmes së vendit.
PD dhe LSI duhet të shkojnë në zgjedhje si koalicion i përbashkët?
Nuk ka tagër askush veç forumeve të gjera të këtyre partive që të vendosin për koalicionet, prandaj ajo që mund të them është se PD-ja duhet të bëhet shtrati kryesor i besueshëm i çdokujt që është në opozitë me këtë barbari në pushtet. Natyrisht, PD-ja ka për detyrë të thërrasë dhe të bashkojë çdo forcë politike apo individ që dëshiron të përballet me të keqen që ka pushtuar vendin dhe të mos rrijë indiferente.
Çfarë po bëhet me procesin e riorganizimit të PD-së?
Ecën ku më mirë dhe ku me ngadalë, por nuk jam pjesë aktive e këtij procesi, siç isha pjesë e analizës së zgjedhjeve të 2017-ës.
Me statutin e ri të PD-së krerët e departamenteve nuk do të jenë më anëtarë të kryesisë së partisë. A do të rikandidoni për anëtar i këtij forumi?
Besoj qe po. Për më tepër nuk përjashtohen apriori krerët e departamenteve, thjesht është vënë një vlerësim që 15 personat që marrin më shumë vota të jenë anëtarë të kryesisë, përveç kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarëve funksionalë, ndaj nuk përjashtohet mundësia që mjaft drejtues departamentesh do jenë në kryesinë më të vogël. E rëndësishme është që: 1, procesi të jetë sa më i ndershëm dhe mos ketë reklamime për numërimin e votove të fituara dhe 2, kryesia dhe forumet të mblidhen sa më shpesh, sepse ndihmojnë në reflektimin e situatës.
Pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe miratimit të statutit të ri, PD-ja është më e bashkuar edhe veçse thelloi më tej ndasitë?
Në përgjithësi mbledhja e forumeve është një lajm i mirë, pasi të ndihmon të reflektosh dhe ripërtërihesh. Por, duhet reflektim dhe dëshirë për bashkim dhe fitore nga çdo anëtar i PD-së. Nuk di të them se sa është më e bashkuar PD-ja pas Kuvendit Kombëtar, por nëse ka vullnet, patjetër që ka zgjidhje. Duhet të reflektojmë dhe të përpiqemi të bashkohemi në një emërues të përbashkët nëse kemi në plan të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve në Shqipëri. Sado inat të kesh njërin apo tjetrin në PD, qartazi përballë kemi krimin e organizuar. Sado që personalisht mendoj që është më mirë që PD të jetë në opozitë se sa të përlyhet në korrupsion, qartazi nuk ka pasur asnjë zyrtar të PD-së ndonjëherë që të ketë përlarë me bedelët e vet 120 milionë euro për ‘checkup’, 100 milionë euro për sterilizime, 178 milionë euro për 3 incineratorë, 90 milionë euro për dializë etj. Përballja me të keqen duhet të çojë të gjithë kontribuuesit në PD që të reflektojnë, të pranojnë kritikat, të falin diçka nga vetja për të parë përpara për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë në këtë vend të bekuar nga Zoti, por të vjedhur dhe nëpërkëmbur nga banditët me pushtet.
Cilat janë rrugët që e çojnë Partinë Demokratike drejt pushtetit?
Të merret intensivisht me qytetarët dhe të dëshmojë vullnet për t’u marrë me hallet, jo veç me denoncimin e vjedhjeve galopante të qeverisë. Psh., PD duhet të prijë lëvizjet qytetare për referendume për çështje të rëndësishme. Për shembull, sot mendoj se PD-ja duhet të përgatisë formularë me 1 pyetje “A jeni dakord që të shembet Teatri Kombëtar i arkitekturës italiane për të ndërtuar kulla 20-katëshe miku i qeverisë?”. Brenda javës struktura e PD-së mund të mbledhë 100,000 firma nëse do shkojë shtëpi më shtëpi. Ngjashëm me një hall tjetër qytetar. Duhet t’u shfaqemi shqiptarëve si forcë e besueshme për hallet e tyre. Nëse qeveria vijon vjedhjet e saj, PD-ja tregon me fakte që është pranë qytetarëve dhe bëhet e besueshme që të kanalizojë të gjithë revoltën ndaj vjedhjeve të qeverisë në shpresë për shoqërinë e mpirë shqiptare. Dhe çdo muaj duhet të çojë zërin e saj në çdo shtëpi, përfshi edhe përmes fletushkave tematike apo me skandalet më të mëdha qeveritare. Duhet të tregojmë vjedhjet e Ramës por edhe të shprehemi pa ekuivok se nuk do ketë asnjë gjyqtar apo ambasador të paguar nga Soros që mund ta shpëtojë Edi Ramën nga këto vjedhje.
Kush po e pengon integrimin e Shqipërisë në BE dhe a besoni se më 28 qershor, vendet e Unionit do të hapin negociatat me vendin tonë?
Qartazi që integrimin e pengon z. Rama me arrogancën e tij për të uzurpuar të gjitha pushtetet, me shpartallimin e Gjykatës Kushtetuese, ngërçin e gjykatave të tjera dhe me injorimin e hapur që u bën thirrjeve gjithnjë e më të forta dhe aspak diplomatike për drejtësinë e pavarur, që i tregon vendin Tahirit dhe shkarkimin e vëllait të kreut të trafikut të drogës në Bolonja. Këta që bëjnë thirrje haptazi për reflektim janë në fakt mbështetësit me të sinqertë të integrimit të Shqipërisë, ligjvënës dhe shtetarë gjermanë, francezë dhe holandezë. E bëjnë këtë thirrje nga dëshira e mirë për të integruar Shqipërinë dhe jo për trille apo kapriço. Nuk mund të imagjinohet në asnjë vend që qeveria të kapë prokurorin e përgjithshëm, të zhduke Gjykatën Kushtetuese e për pasojë nuk mund të ankimohet asnjë ligj apo marrëveshje antikushtetuese, që ligjvënësit të ndalojnë prokurorin të ndjekë çështje penale ndaj një deputeti apo ish-ministri, etj. Përderisa këto nuk janë standarde në përputhje me shtetin ligjor, këto nuk mund të jenë standarde për një vend që aspiron të hapë negociatat me BE./gsh.al/