Albspirit

Media/News/Publishing

Memalioti Myrtaj e goditi disa herë më sqepar, shpëton mrekullisht 57-vjeçarja

Ngjarja e rëndë në Memaliaj, 65-vjeçari Ferrik Myrtaj dhunoi bashkëshorten në rrugë, duke e bërë për spital. Rrëfimi i Antoneta Myrtajt për dhunën sistematike që në rini dhe frika pas lirimit të tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Memaliaj, ku krimi dhe dhuna në familje goditi sërish. Kur nuk kishte kaluar as 24 orë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në tregun e Milotit, ku gruaja la të vdekur bashkëshortin e saj, duke e qëlluar me pistoletë. Në Memaliaj, burri ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e bërë për spital. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Ferrik Myrtaj, 65 vjeç, ka goditur disa herë me mjete të forta bashkëshorten e tij, Antoneta Myrtaj, 57 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e dy bashkëshortëve, ndërsa sipas dëshmisë së gruas, ai kishte shkuar i dehur në shtëpi, veprim që e bënte pothuajse gjithmonë dhe kishte filluar të bërtiste deri sa më pas e kishte qëlluar. “Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesën e tij, për motive të dobëta, ka goditur disa herë me sende të forta (sqepar) në kokë e trup bashkëshorten e tij shtetasen me iniciale, A.M, 57 vjeçe, banuese në Memaliaj”, njoftoi policia gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë, nga dëshmia e 57-vjeçares, zbulohet se ata kanë qenë vetëm në shtëpi, pasi çifti ka tre vajza të cilat nuk jetojnë me ta. Ferrik Myrtaj sapo ka mbërritur në shtëpi ka filluar të bëjë sherre dhe më pas, e ka goditur, pasi gruaja nuk i ishte bindur në momentin që i kishte thënë që t’i shkonte afër. Antoneta Myrtaj, duket se ka shpëtuar për fat, pasi ka mundur të largohet për një moment dhe të fshihej në tualet, ku ka thirrur për ndihmë. Kanë qenë disa kalimtarë të rastit që e kanë dëgjuar dhe kanë thirrur policinë, të cilët kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin në flagrancë të Ferrik Myrtajt.

Please follow and like us: