Regjimi i Iranit ekzekutoi Mohammad Salas
NCRI bën thirrje për aksion ndërkombëtar të efektshëm kundër ekzekutimeve arbitrare në Iran
Rezistenca Iraniane e dënon fort ekzekutimin e Mohammad Yavar Salas dhe bën thirrje për aksion të efektshëm nga komuniteti ndërkombëtar dhe avokatët e të drejtave të njeriut kundër këtij ekzekutimi arbitrar dhe vazhdimit të shkeljeve të të drejtave njerëzore nga fashizmi fetar që sundon Iranin.
Mohammad Yavar Salas, 51, nga komuniteti i Dervishëve Gonabadi, u arrestua gjatë protestave të shkurtit 2018 në Bulevardin Golestan. Gjykata e regjimit e dënoi me ekzekutim në mënyrë arbitrare, duke shkelur vetë ligjet e saj. Ai kishte deklaruar vazhdimisht se ishte torturuar dhe i ishte bërë presion për të pranuar akuza të rreme kundër tij, edhe pse i pafajshëm.
Pavarësisht provave të besueshme për pavërtetësinë e akuzave kundër Mohammad Salas, gjykata e mullahëve e shpërfilli apelin e tij dhe refuzoi ta rifillonte gjyqin.
I zhytur në kriza të vazhdueshme e të pashërueshme të brendshme e ndërkombëtare si dhe në kryengritje popullore, regjimi i mullahëve ka shtuar shtypjen brutale dhe krimet kundër popullit iranian.
Tirania që sundon Iranin, e cila është turp për njerëzimin bashkëkohor, duhet të refuzohet nga familja e kombeve. Të gjithë fajtorët e vrasjeve të popullit iranian duhet të jenë subjekt i sanksioneve dhe ndëshkimeve më të rënda dhe duhet të mbajnë përgjegjësi përpara gjyqeve ndërkombëtare.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit