Albspirit

Media/News/Publishing

Policia serbe i ndalon hyrjen këshilltarit të kryeministrit Rama

Policia kufitare e Serbisë  ia ka ndaluar hyrjen në territorin e saj pa dhënë shpjegime këshilltarit për Rajonin të kryeministrit Edi Rama. Filozofit dhe kritikut të artit nga Kosova, Shkëlzen Maliqi i është ndaluar hyrja në Serbi, në pikën e kalimit kufitar në Merdare. Policia kufitare e Serbisë nuk ofroi informacion apo arsye për veprimin e tyre. Maliqi po udhëtonte me dramaturgun dhe drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj dhe kryeredaktoren dhe fotografen e “Kosovo 2.0”, Besa Luci dhe Majlinda Hoxha. Ata planifikonin të merrnin pjesë në një diskutim me rastin e publikimit të “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturor nga të dyja shtetet. Pas ndalimit të Maliqit, anëtarët e tjerë të grupit po ashtu vendosën të kthehen në Prishtinë. Maliqi ka thënë për “Insajderin” se Serbia po merr masa hakmarrëse për zyrtarët e Kosovës. Ai thotë se edhe ekipi ka refuzuar të hyjë në territorin serb në shenjë revolte për ndalimin e Maliqit në kufi. Shkëlzen Maliqi është analist politik, kritik arti, por edhe filozof. Ai ka lindur në vitin 1947 dhe jeton në Prishtinë. Maliqi ka drejtuar një sërë organizatash, mes të cilave edhe Institutin e Studimeve Sociale, “Gani Bobi”.

Please follow and like us: