Teherani i lejon gratë të ndjekin ndeshjen e Iranit për Kupën e Botës
Autoritetet në Teheran do t’i lejojnë gratë të ndjekin shikimet publike të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit, së bashku me burrat.
Ky është një ndryshim i praktikës afatgjate, e cila ka shkaktuar protesta brenda dhe jashtë Iranit.
Këshilli provincial i Teheranit tha se stadiumet e qytetit Azadi dhe Takhti do t’i hapin dyert për gratë, për të parë transmetimin televiziv të ndeshjes së kombëtares iraniane kundër Spanjës, e cila zhvillohet sot në qytetin rus të Kazanit.
Ndalimi i shikimeve publike për gratë është hequr edhe në parqe dhe objekte të tjera publike.
Agjencia iraniane e lajmeve ISNA tha se leja vlen vetëm për lojën e sotme.
Në Republikën Islamike të Iranit, gratë nuk lejohen të hyjnë në stadiume, sepse, sipas klerikëve fetarë, “ato duhet të mbrohen nga mjedisi mashkullor”.