Ronaldo i jep 3-pikëshin e parë Portugalisë
Shpëtimtari i përhershëm i Portugalisë është ai dhe vetëm një, Cristiano Ronaldo. Ashtu si në ndeshjen ndaj Spanjës, edhe në takimin e dytë ndaj Marokut ishte sërish ylli i kombëtares iberike dhe Realit të Madridit që do të gjente rrugën e golit që në minutën e 4-t, këtë herë me një goditje me kokë pas krosimit të Moutinhos. Edhe pse dukej një ndeshje e lehtë në letër për kampionët në fuqi të Europës, ajo ndaj Marokut nuk ishte e tillë në fushën e blertë. Situata të shumta dyluftimi, apo edhe raste të kërkuara me ngulm nga afrikanët për t’u rishikuar me VAR, por që gjithsesi nuk ndryshuan asgjë në fatet e ndeshjes.
Portugalia ngjitet në krye të grupit B me 4 pikë, duke lënë pas Iranin me 3, Spanjën me 1 dhe Marokun në fund me zero pikë në dy ndeshje. Gjithsesi, spanjollët do të duhet të luajnë në mbrëmje ndeshjen e tyre të dytë ndaj Iranit.
Ndërkohë, për Marokun zyrtarizohet edhe matematikisht eliminimi, pasi humbi ndaj Iranit në ndeshjen e parë dhe ndaj portugezëve në të dytën, me të njëjtin rezultat minimal, 1-0.