Albspirit

Media/News/Publishing

Nardi Olli: Keqardhje për ngjarjen në Dhërmi

 

Ndjej keqardhjen më të thellë për momentet e tmerrit që përjetuan pushuesit në Dhërmi, por që falë Zotit nuk pati asnjë jetë të humbur. Duke ndjekur disa reagime të tyre jo vetëm për këtë rast, por edhe në mjaft raste të tjera që mallkonin ditën që zgjodhën të pushonin në Shqipëri, në solidaritet të plotë me ta, kam vetëm një lutje: Miqtë e mi, mos mallkoni vendin ku zgjodhët të shkoni me pushime apo Shqipërinë!

Mos mallkoni atdheun tonë se nuk ka asnjë faj. Mos mallkoni njerëzit e thjeshtë që përpiqen të ndërtojnë jetën e tyre, duke punuar fort e me përkushtim, por mallkoni me gjithë forcën e shpirtit ata njerëz që kanë marrë përsipër të drejtojnë, “barinjtë” tanë që na kosiderojnë dele, të cilët, fatkeqësisht, për 30 aspra më shumë e kanë shitur jetën tonë në duar ordinerësh që trimërohen vetëm se janë ushtarë të “shefave” e askushi nuk guxon t’i prekë!

Policia jo vetëm nuk shkoi në kohë, por edhe reagoi publikisht se nuk pati asnjë ngjarje të rëndë në Dhërmi, por vetëm të shtëna në ajër! Çfarë “profesionalizimi” mbresëlënës! Çfarë “eksperience”. Pra, ngjarje e rëndë, do të ishte vetëm nëse humbej ndonjë jetë?! Tmerri, terrori, frika që ndjenë ata pushues, ndoshta mes të cilëve edhe fëmijë nuk është ngjarje e rëndë.

Fakti se pushuesit e terrorizuar për pak vranë njeri-tjetrin për të ikur sa më larg krismave nuk përbën asnjë ngjarje të rëndë?! Në fakt, hollë-hollë janë të sinqertë në reagimin e tyre. Për situatën e rëndë kriminale që mbizotëron në vend, kjo ngjarje mund të konsiderohet normale! Ata as nuk kohë nuk donin të ishin prezent, pasi e dinin se kush e bëri zullumin dhe kush janë ata që bëjnë zullumet në përgjithësi, pasi nuk guxojnë prej shefave të tyre së pari, por edhe prej vetes.

Janë dendur me rryshfete e u është zënë goja nga luga e çorbës së prishur që kanë gëlltitur e tashmë shërbejnë në emër të shefave dhe asprave që marrin vetë. Por, fakti se ngjarja e rëndë, në prezencë edhe të dhjetra turistëve të huaj, që nuk do të guxojnë të shkelin më në Shqipëri e nuk do ta rekomandojnë më vendin tonë për pushime nuk përbën ngjarje të rëndë. Fakti që turizmi shqiptar dhe imazhi I vendit në tërësi marrin goditje të rëndë sërish nuk përbën ngjarje të rëndë. Për fat të keq, për ta dhe këtë qeveri (shefat e tyre), është normalitet.

Të nderuar miq, mos e mallkoni këtë vend të bekuar, por vetëm njerëzit e pangopur e antishqiptarë, që pasi uzurpojnë pushtet janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me djallin për të mbushur xhepat e po na detyrojnë të braktisim vehten tonë dhe vendin tonë! Ata meritojnë mallikm, dëbim e gjithçka tjetër!

Please follow and like us: