Mogherini: Kosova e Serbia të shmangin përpjekjet për shtete etnikisht homogjene
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se ajo do të mbështeste shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë nëse dy vendet shmangin çdo përpjekje për të krijuar shtete etnikisht homogjene.
“Cilido që të jetë rezultati i dakordësuar në mënyrë reciproke do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Mogherini.
Ajo i bëri këto komente në një konferencë për media në Vjenë, pas një takimi midis ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre ballkanikë.
Ideja për korrigjim të kufijve është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, si mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Mogherini është ndërmjetësuese e dialogut midis tyre, i cili pritet të vazhdojë javën e ardhshme.