Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti: Ruset Zoja Gulina, Nina Pumo, Natasha Pengili dhe Taisa Pisha, deri në vitin 1960-të i mbanin lidhjet…

Dashnor Kaloçi, TemA

Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë komuniste në vitin 1961 me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Sovjetik, si dhe me vëndet e tjerë të Europës Lindore apo siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, shënoi një dramë të vërtetë edhe për një numër të madh shtetase të huaja që i përkisnin këtyre vëndeve të cilat kishin ardhur në Shqipëri pas martesave që ato kishin bërë me shqiptarë që studionin në ato vite në vëndet e tyre, kur marrëdhëniet me këtë shtete ishin në lulëzim. Si p.sh. me Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë, Çekosllavakinë, etj.

Ashtu siç është e njohur tashmë, pjesa më e madhe e grave të huaja që ishin në Shqipëri asokohe ku dhe kishin krijuar familjet e tyre, pas presioneve të shumta dhe deri kërcënimeve nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar (kryesisht, Fronti Demokratik dhe Sigurimi i Shtetit), u detyruan që të ktheheheshin në vëndet e tyre prej nga kishin ardhur, duke marrë me vete edhe fëmijët që kishin lindur këtu në Shqipëri. Si p.sh. bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e skulptorit të famshëm, Thanas Papa, etj etj, të cilat u kthyen përgjithmonë në ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, për t’u ritakuar me ta vetëm pas vitit 1991 kur në Shqipëri u shëmb regjimimi komunist.

Por drama e këtyre dy grave ruse si dhe ajo e shumë të tjerave bashkëatdhetare të tyre që u bënë objekt i “Gjuetisë së shtrigave” nga regjimi komunist shqiptar, do të ishte ku e ku në krahasim me disa të tjera, shoqe të tyre, që nuk pranuan të divorcoheshin me bashkëshortët shqiptarë dhe qëndruan në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e tyre, pasi iu nënshtruan një survejimi të rreptë, u akuzuan si agjente të zbulimeve të huaja dhe përfunduan burgjeve politike të regjimit komunist për vite me rradhë, duke kaluar një kalvar të pashembullt si nga qelitë e hetuesive ashtu dhe në kampet e burgjet ku ato qëndruan të izoluara deri sa u liruan dhe u ritadhesuan në vëndet e tyre. Si p.sh. polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, ruset Natasha Pengili, Inja Tarasova Dyrzi, etj etj.

(Lidhur me dramën e madhe të grave të huaja në Shqipëri e fatin tragjik të tyre nën regjimin komunist, gjë e cila padyshim përbën një nga njollat më të errta të atij regjimi, pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov dhe regjizori Aleksadnër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proces”. Apo rasti tjetër i regjizores së njohur bullgare, Adele Pieeve, e cila ka realizuar një film-dokumentar të jashtëzakonshëm mbi fatin tragjik të grave ruse në Shqipëri).

Lidhur me këtë fakt, pra fatin tragjik dhe dramën e madhe që pësuan e përjetuan gratë e huaja në Shqipëri nga fillimi i viteve ’50-të e deri në shëmbjen e atij regjimi, bën fjalë dhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i cili ka qenë “Për përdorim të brendshëm” nga organet eprore të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe dhe ka shërbyer për të “evidentuar sukseset ndër vite” të shërbimeve sekrete të atij regjimi. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë në dy numra gazete dhe ekskluzivisht për TemA

 

“Zbulimi dhe goditja e një rezidenture tjetër të Zbulimit Sovjetik”

Më datën 14.5.1975 u godit një rezidenturë tjetër e Zbulimit Sovjetik e përbërë nga Natasha Pengili, Ana Shehe dhe Eleni Cami.

Gjatë zhvillimit të hetuesisë dhe përpunimit në dhomat e izolimit të pjestarëve të grupit të “Dhelprës”, si dhe vazhdimit të përpunimit të lidhjeve të tyre të vjetra të pagoditura, u verifikua se në këtë rezidenturë implikoheshin disa element të tjerë, shumica gra të huaja të martuara me shtetas shqiptarë dhe lidhjet e tyre. Gulina implikonte në veprimtari të përbashkët agjenturore: N.P., E.P., A.S., M.P. Ndërsa N. Pengili, implikonte: S.Sh., Sh.Xh., Ll. M., Th. N., A.Sh., F.P., A.Gj. Kurse E. Cami implikonte: T.M., V.M.,R.T., P.T., D.Sh. dhe I.Sh.

Në këtë rezidenturë ishin 22 lidhje të rëndësishme, që përpunoheshin si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sovjetik. Rezultonte se në rezidenturën që drejtonte Taise Pisha, më kryesoret ishin: Natasha Pengili, Eleni Came dhe Ana Shahe etj.

Veprimtarinë agjeturore-subversive kundër Shqipërisë pjestarët e kësaj rezidenture e kishin filluar me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe e kishin intesifikuar vazhdimisht në vitet 1971-1975 deri sa u goditën.

Vëmëndja u përqëndrua edhe në zbërthimin e pjestarëve të kësaj rezidenture me intesifikimin e punës hetimore, sidomos në drejtim të katër kryesorëve të saj. Gjithashtu u forcuan masat operative në drejtim të elementëve që implikoheshin dhe lidhjeve të arrestuarëve, duke vënë në lëvizje sektorët përkatës të Degës së Punëve të Brendëshme në rrethe, për të ndjekur në bashkëveprim dhe bashkërendim përpunimet kryesore, duke përdorur me kujdes llojet e punëve operative, duke bërë analiza dhe caktuar masat për shpejtimin e realizimit të zbërthimit të pjestarëve të kësaj rezidenture.

Nga zhvillimi i hetuesisë në bashkërendim me përpunimin në dhomat e izolimit dhe vazhdimin e përpunimit të lidhjeve të kësaj rezidenture, të cilët ende nuk qenë goditur, u arrit të zbërthehen dhe të mësohen disa forma dhe metoda që përdorte Zbulimi Sovjetik kundër vëndit tonë.

Karakteristikë ishte se për mbajtjen e lidhjeve me pjestarët kryesorë të kësaj rezidenture, Zbulimi Sovjetik përdori disa forma: deri në vitin 1960 i mbante lidhjet me sekretarin e ambasadës sovjetike në Tiranë, Romancenko. Në vitin 1960, Zbulimi Sovjetik duke e ndjerë se së shpejti do të demaskohej publikisht revizionizmi sovjetik, morri masa dhe me legjenda thirri në Moskë Zojën, gjoja për të “lindur” dhe atje e instruktoi në fakt për veprimtarinë e mëtjeshme agjenturo-subversive.

Pas vitit 1960 në bazë të instruktazhit që morri Zoja, lidhjet i mbante nëpërmjet disa lidhjeve që kishte në rradhët e sportistëve që shkonin shpesh jashtë shtetit dhe sidomos kur ata kalonin nga Moska dhe shkonin në Kinë dhe në vënde të tjera. Kështu ajo fillimisht iu afrua dhe u njoh me disa sportistë nëpërmjet të cilëve mbante lidhje me zbulimin përkatës. Forma tjetër ishte nëpëmjet disa studentëve lidhje të saj në Universitetin e Tiranës. Për këtë ajo iu afrua disa studentëve me vese dhe qëndrim të huaj dhe gjeti element të përshtatshëm. Në Universitetin e Tiranës punonte si pedagoge e gjuhës ruse edhe Nina Pumo, e cila si pjestare e rezidenturës mundi të zinte shoqëri me element të ndryshëm, disa prej të cilëve i shfrytëzoi për ndërlidhje kur shkonin jashtë shtetit me shërbime.

Krahas këtyre, nga viti 1961 deri në vitin 1975, kjo rezidenturë i mbante lidhjet me Zbulimin Sovjetik me anë të zbuluesëve që ishin si “diplomatët” në ambasadën çeke në Tiranë. Ato shfrytëzuan për ndërlidhje disa bashkëshortë të tyre, kur këta shkonin me shërbime të ndryshme jashtë shtetit. Korrespondenca që mbanin gjoja me prindërit e tyre në Bashkimin Sovjetik, ishte një formë tjetër që u përdor nga pjestarët e kësaj rezidenture. Për ndërlidhje, ato përdorën edhe Eleni Pëllumbin, e cila nën maskën e shitjes së plaçkave të tyre, kamuflonte në fakt ndërlidhjen midis tyre.

Edhe kur pjestërët e kësaj rezidenture tronditeshin e frikësoheshin nga goditjet e bëra Zbulimit Sovjetik, tërhiqeshin dhe refuzonin të takoheshin me padronin e tyre, ai nëpërmjet agjentëve ndërlidhës iu bënte presion, duke u thënë se po nuk shkuat në takime do t’i denonconte në organet e Sigurimit Shqiptar me letra anonime. Kështu kur Zoja nuk shkoi tek Elena, (sidomos pas demaskimit publik që iu bë Bashkimit Sovjetik dhe sidomos goditjeve që iu bënë grupeve të Zbulimit Sovjetik në vitete 1961-1965, Elena u dha një letër e cila i ishte dërguar nga Moska nëpërmjet një zbuluesi sovjetik me shtetësi dhe kombësi hungareze, nëpërmjet së cilës i shkruhej se po nuk shkove në takim, do ta denonconte me letra anonime.

Në këto forma mbante lidhje me Natasha Pengilin e cila që në vitin 1956 kur erdhi në Shqipëri e deri në vitin 1961, mbante lidhje me sekretarin e ambasadës sovjetike në Tiranë, Romancenko. Babai i Natashës ishte pushkatuar në vitin 1937 si armik i Bashkimit Sovjetik, ai qe Ministër i Tregtisë së Jashtëme të Bashkimit Sovjetik, nëna i vdiq në internim në vitin 1943, ajo kishte në shërbim edhe motrën e saj që punonte në Moskë. Vetë Natasha ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik që në vitin 1955, kohë kur edhe u martua me Enver Pengilin. Në fakt ajo u dërgua me detyrë të caktuar nga Zbulimi Sovjetik në Shqipëri.

Nëpërmjet zbulimit të këtyre agjentëve u arrit të mësoheshin disa mënyrë ndërlidhjeje. Por që problem të çohej deri në fund, ishte e domosdoshme që të bëhej studimi i të gjithë elementëve që implikoheshin dhe të përcaktoheshin masat për secilin. Të ndiqeshim me kujdes dhe përparësi të gjithë zbuluesit sovjetik që maskoheshin si diplomatë në përfaqësitë e tjera tregtare e diplomatike të vëndeve revizioniste e kapitaliste të akredituara në Shqipëri. Drejtoria e I-rë duhet të lozte rolin e vetë në drejtim të organizimit sa më mirë të punës në këtë drejtim. Grupet operative që do ngriheshin duhet të vepronin nën drejtimin e sektorëve përkatës operativ.

Por këto masa e të tjera operative që caktoheshin si rrjedhim i punës armiqësore që zhvillonte Zbulimi Sovjetik, nuk vlerësoheshin dhe nuk ndiqeshin nga agjentët e këtij zbulimi dhe zbulimeve të tjera armike që ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, si Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu etj, duke u justifikluar se “nuk kemi rënë në gjurmë”, “se nuk janë zbuluar fijet” etj, megjithëse pjestarët e këtyre rezidenturave depononin vetë veprimtarinë konkrete agjenturo-subversive kundër Shqipërisë dhe format e metodat e ndërlidhjes.

Kishte dhe raste që këta agjentë zbuloheshin dhe duheshin arrestuar e dënuar, armiqtë që ishin në krye të Organeve të Sigurimit të Shtetit, ndikonin me forma dinake ose “iknin”, u jepej viza me pretekste të ndryshme për t’u “çmallur” me të afërmit e tyre në Bashkimin Sovjetik dhe nuk ktheheshin, apo ktheheshin me detyrë siç u veprua me Pengilin etj.

Please follow and like us: