Studentët nuk duhet ta shuajnë këtë dritë shprese që ata vetë e ndezën
Zef Bushati
Fillimi i protestës së studenteve ishte vërtetë impresionues. Përrenj me studentë që mbushën rrugët e Tiranës dhe u derdhën si një lumë i fuqishëm përpara godinës së Ministrisë së Arsimit në Tiranë me pesë kërkesa drejtuar Ministres së Arsimit. Reagimi ishte i shpejtë nga Qeveria, e cila i premtoi studenteve se do të fillojë dialogun. Manovër standarde qeveritare e PS, për të fituar kohën e duhur, që të vendosë nën kontroll protestën në favorin e saj. Kjo kohë i shërbeu edhe opozitës PD + LSI e cila menjëherë filloi punën për ta përdorur protestën në favorin e saj. Tre forumet rinore nisën punën. Forumi rinor i PS, Forumi rinor i PD dhe Forumi rinor i LSI. Protesta nisi të përçahet. Studentët e PS u fokusuan vetëm tek dialogu dhe ulja e tarifave dhe jo tek dorëheqja e Ministres se Arsimit si shkaktare e dështimit të Reformës në Arsim. Studentët e PD dhe LSI kërkojnë miratim të kërkesave pa kushte dhe jo negociata deri në dorëheqjen e Ministres.
Ndërhyrja e tre partive PS, PD dhe LSI i krijoi vështirësi dhe konfuzion një grupi të madh studentësh që kundërshtonin me forcë dhe përpiqeshin të ndalonin ndërhyrjen e këtyre tri partive nëpermjet të rinjve të forumeve të tyre në protestë. Ata ishin të vendosur dhe të bindur se kjo ndërhyrje politike do ta dëmtonte protestën. Ky grup të rinjsh, që perfaqësojnë realisht ndryshimin e pritshëm nga pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, duke qenë të paorganizuar, pa eksperiencë dhe pa një mbështetje nga njerëz me pervojë, qofshin këta edhe profesorë universitetesh, të cilët janë evidentuar me qëndrimet e tyre në media dhe në FB, u zbehën dhe u vendosën në vështirësi reale për realizimin jo vetëm të kërkesave të tyre, por edhe të misionit të madh, i cili bëri që lumenjtë e studentëve në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë, të vërshojnë nëpër rrugë dhe të mbushin sheshet e qyteteve. Të rinjtë që ecnin këto ditë mespërmes rrugëve të ish- Bllokut në Tiranë thërrisnin: “Mos qëndroni nëpër kafene, por bashkohuni me ne”. Kjo thirrje ishte për shokët e shoqet e tyre, për prindërit, për motrat e vëllezerit, për të gjithë qytetarët e qyteteve të Shqipërisë. Kjo thirrje të dukej si një klithmë e të rinjve që kërkojnë ndihmë: “ Ejani na ndihmoni. Ne nuk duam të largohemi nga Shqipëria, në duam të studiojmë në Shqipëri me standarde europiane që nesër t’i shërbejmë më mirë popullit dhe shtetit tonë.” Ky grupim i të rinjve, të parreshtuar në formacionet e partive politike, duket se u pëlqye më shumë nga masa e madhe e studentëve. Ata i dhanë mbështetje këtij grupimi në ditën e 5 të protestës dhe i larguan “Mercenarët” e PS, PD e LSI apo organizatave të tyre rinore nga radhët e atyre studentëve që merrin megafonin dhe i drejtohen qindra studentëve protestues. Duket se po ndodh ajo që nuk pritej, studentët e zhgënjyer, të fyer e të nervozuar nga reagimi i Ministres së Arsimit, filluan t’i thërrasin memorjes dhe të zgjerojnë kërkesat duke evidentuar vështirësitë në problemet ekonomike, varfërinë, papunësinë e deri tek largimi nga Shqipëria. Ata nisën të bëjnë fajtore të gjithë klasën politike 28 vjeçare në pushtet. Ata në diskutimet e tyre kanë filluar të flasin për korrupsionin, kriminalitetin, kontrabandën e drogës, që i kanë vënë njollën e turpit jo vetëm studentëve, por të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.
A mundet që kjo protestë studentore në mbarë Shqipërinë të dështojë? Jo nuk duhet të dështojë. Nga kjo protestë e gjithë klasa politike dhe oligarkët duhet të nxjerrin mësime. Duhet njëherë e mirë të vendoset institucioni i dorëheqjes për të gjithë ata që gabojnë. Po nëse dështon kush janë fajtorët? Rama, Basha, Kryemadhi apo profesorët dhe intelektualët, të cilët nuk i mbështetën studentët e tyre, bijtë dhe bijat e tyre? Mbështetini studentët dhe mos u bëni moral. A kanë moral ish-ministrat e PD e LSI që u larguam me 1 milion vota nga pushteti i tyre i korruptuar të dalin në TV e të flasin për moral? Po a kanë moral ministrat e PS që janë akuzuar për korrupsion, përfshirje në afera korruptive dhe bashkëpunim me kriminelë që tu flasin studentëve për reforma? Studentët duhet të qetësohen e të kthjellohen. Ata e ndezën tashmë dritën e shpresës të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ata nuk duhet të përçahen, por të bashkohen e të mbështeten. Të bashkuar ata janë më të fortë. Ata, studentët, nuk duhet ta shuajnë këtë dritë që ndezën, se pastaj do të jetë shumë vështirë që një tjetër dritë shprese do të lind në këtë shtet ku ka humbur shpresa.