Akuzat e pronarit të Amazonit dhe liria e shtypit
Akuzat për presion dhe shantazh nga njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, kundër një tabloidi në Shtetet e Bashkuara, mund të kenë tejkaluar kufijtë e lirisë së gjerë të shtypit të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden i hedh një vështrim përplasjes. Jeff Bezos, që ka në pronësi kompaninë Amazon dhe gazetën Washington Post, ka akuzuar botuesit e kompanisë American Media Inc (AMI) që boton tabloidin National Enquirer për përpjekje shantazhi. Zoti Bezos pretendon se ata kishin kërcënuar të publikonin fotografi intime të tij dhe së dashurës së tij, nëse ai nuk ndalte një hetim që kishte ndërmarrë për të zbuluar se si National Enquirer i kishte siguruar mesazhet e tij private të publikuara në një artikull, ku thuhej ku ai kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me ish-personazhin televiziv Lauren Sanchez, para se të bënte të ditur se po divorcohej nga gruaja e tij me të cilën kishte qenë i martuar prej 25 vjetësh. Kompania AMI thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin. “Nuk është absolutisht as presion, as shantazh”. Zoti Bezos la të kuptohet se mund të ishte vënë në shënjestër nga National Enquirer, si hakmarrje për mbulimin kritik nga gazeta Washington Post të Presidentit Donald Trump dhe të përfshirjes së mundshme të Princit të Kurorës saudite, Mohammed bin Salman në vrasjen e disidentit Saudit dhe opinionistit të gazetës, Jamal Khashoggi. David Pecker, pronarii National Enquirer është mik i Presidentit Donald Trump dhe sipas njoftimeve ka lidhje me udhëheqësit e Arabisë Saudite. Artikujt me detaje intime për marrëdhënien jashtëmartesore të zotit Bezos, edhe nëse janë botuar për arsye politike, janë të mbrojtura nga Amendamenti i Parë. “Më duhet të ndaj këtu banalitetin nga parimi që mendoj se ne po përpiqemi të mbrojmë, që është se gazetarët kanë të drejtën të botojnë atë që dinë”. Megjithatë konglomerati i medias mund të ketë probleme ligjore, nëse akuzat për shantazh të zotit Bezos provohen. “Nuk ekuptoj dot pse AMI dhe avokatët e saj, janë përfshirë në aktivitete që mund të shkelin ligjet federale për shantazh dhe ato penale të shteteve”, thotë Tor Ekeland, një avokat federal. Pecker pranoi para zgjedhjeve të vitit 2016 se kishte paguar një ish-modele që të mos fliste për marrëdhënien e saj me Presidentin Trump. National Enquirer i shmangu pasojat penale, duke bashkëpunuar me një hetim federal për shkeljet me financimet e fushatave. Përfshirja në një krim tjetër mund të jetë shkelje e marrëveshjes së mëparshme. Themeluesi i kompanisë Amazon, me një pasuri rreth 136 miliardë dollarë, tha se nuk “do të kursejë asgjë” për të hetuar shkeljet e tabloidit dhe lidhjet e tij politike./voa/