Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Rama duhet të ikë tani?

Koço Kokëdhima

Në një intervistë të fundit për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Edi Rama, i pyetur se a do të largohet në këtë situatë që është vendi nga posti i kryeministrit, deklaron: “As nuk e çoj ndërmend. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar, që na ka dhënë votën për të qeverisur”.

Ai flet për kontratë me popullin shqiptar. Por bën sikur “harron”, që po mbush vitin e 6-të në pushtet dhe jo vetëm ka shkelur kontratën me votuesit, por edhe ka mashtruar dhe i ka përkeqësuar gjërat në të gjithë aspektet e si asnjëherë më parë. Ai erdhi në pushtet në vitin 2013, duke premtuar ndryshime rrënjësore në Shqipëri nën velin mashtrues të Rilindjes, duke u shfaqur se do të qeveriste krejtësisht ndryshe, nga Partia Demokratike. Por shumë shpejt u pa, se ai jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim, por eci dhe çoi më tej rrugën që trashëgoi nga qeverisja e Berishës.

•Premtoi shëndetësi falas, por ja ku jemi sot; një vend me ilaçet më të shtrenjta jo vetëm në rajon (dhe i vetmi vend në Europë ku shiten masivisht ilaçe skarco, të skaduara dhe të falsifikuara), me qendra shëndetësore në kushte mizerabël, ku jo vetëm ke frikë të shkosh e të mjekohesh, por edhe të duhet të paguash nën dorë. E vetmja gjë që arriti në këtë drejtim është, shpërndarja e miliardave të taksapaguesve shqiptarë, për një grusht klientësh nëpërmjet koncesioneve, që nuk kanë rritur asnjë cilësi në shërbimin shëndetësor.

•Premtoi arsim falas, por ja ku jemi sot pas 6 vitesh një vend që futet ndër më të shtrenjtit në Europë sidomos po të kemi parasysh të ardhurat shumë të ulëta të qytetarëve, për arsimimin më të keq dhe më të padobishëm në botë që ata përfitojnë. Këtë mashtrim të madh ja plasën si bombë në dorë, studentët me protestën e tyre historike.

•Përpara se të vinte në pushtet, Edi Rama, premtonte se ligji do të ishte i barabartë për të gjithë dhe se do të jepnin llogari të gjithë ata që kanë përgjegjësi për ngjarje të rënda, si Gërdeci dhe 21 Janari. U premtoi familjarëve të dhjetëra viktimave dhe gjithë shqiptarëve, se autorët do të merrnin dënimin e merituar. Por ja ku jemi sot pas 6 vitesh dhe jo vetëm që drejtësia nuk është vënë ndërkohë, që Rama bashkëpunon hapur me shkaktarët e Gërdecit dhe 21 të Janarit. Qeverisi në mënyrë autokratike. Sundimin e ligjit, republikën, zgjedhjet e lira e të barabarta dhe sovranitetin e popullit i zëvendësoi me sundimin e marrëveshjes famëkeqe PS+PD+LSI.

•Premtoi luftë pa kompromis, kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës. Goditi bastionin e PD-së, Lazaratin, por shumë shpejt ktheu gjithë vendin në një fermë gjigante të kultivimit të kanabisit nga krimi i organizua që bashkëpunonte hapur me policinë. Sot pas 6 vitesh, Shqipëria konsiderohet nga Departamenti i Shtetit, Antimafia italiane e agjencitë e tjera inteligjente ndërkombëtare, si një nyje kryesore e shpërndarjes së drogave të rënda (kokainë-heroinë) në Europë. Askush nuk dyshon se Rama është një kryeministër i korruptuar deri në palcë dhe i përfshirë në aktivitete dhe në trafiqe kriminale.

•Premtoi një klasë politike ndryshe, të mbështetur te integriteti dhe atdhedashuria, por e mbushi PS-në, parlamentin dhe administratën me kriminelë, trafikantë, ish-të dënuar, hajdutë, të paarsimuar, të korruptuar, servilë dhe njerëz pa vlera.

•Premtoi hapjen e rreth 350 mijë vende pune, por ndërkohë ja ku jemi pas 6 vitesh. Jo vetëm që mashtroi, por rriti papunësinë dhe mbi të gjitha i thelloi deri në tragjedi vendit, një plagë si ajo e emigrimit masiv të qytetarëve shqiptarë. Jemi në këtë aspekt krah për krah me vende si Gana, Etiopia dhe Siria, ku ka diktatura, sëmundje masive e luftëra.

•Premtoi rend e ligj, por burgjet i mbushi me të varfër që nuk paguajnë dot faturat e dritave dhe të ujit, ndërkohë që vrasjet mafioze janë bërë të përditshme.

•Premtoi zhvillim ekonomik, por shkatërroi biznesin e ndershëm e klasën e mesme shqiptare, shkatërroi garën dhe lirinë e konkurrencës, duke favorizuar një grusht të ashtuquajturish “biznesmenë strategjikë” nëpërmjet PPP-ve korruptive. Ai paracakton fituesin e çdo tenderi. Shkatërroi kapitalin e biznesit të ndershëm dhe favorizoi atë të krimit të organizuar. Përkeqësoi çdo ditë klimën e të bërit biznes. Kjo ka bërë gjithashtu që investimet e huaja serioze, të largohen si djalli nga temjani, prej vendit tonë.

•Premtoi integrim europian, por Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ka dështuar dy herë për hapjen e negociatave, ndërkohë që shenjat janë se kjo nuk do të ndodh as këtë qershor.

•Në politikën e jashtme shpalli BE-në dhe Gjermaninë si aleatë strategjikë, por përfundoi si një kryeministër që pritet vetëm në Arabinë Saudite. Po ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, duke çuar ujë në planet e Serbisë për gjymtimin e kufijve dhe territoreve të saj. Ka tradhtuar e shitur interesat e vendit tonë në shumë raste përfshi dhe në negociatat me Greqinë.

•Premtoi se do të fuqizonte demokracinë dhe do të instalonte votën e lirë, por u bë palë me dhunuesit e saj tradicionalë si PD. Shkatërroi një pasuri kombëtare si Partia Socialiste, duke ekzekutuar forumet dhe garën brenda saj, duke vënë në krye të saj njerëzit më të korruptuar e më të këqij të Shqipërisë. Premtoi zgjedhje të lira dhe një sistem të drejtë zgjedhor, por tashmë është kapur në flagrancë si vjedhës dhe blerës i votës. Me marrëveshje të hapura dhe të fshehta, së bashku me partitë e vjetra, PD-LSI, tashmë ai është identifikuar si pengmarrësi i të ardhmes së vendit.

Ai mund të ketë sot një shumicë të thjeshtë në parlament dhe në ditët e ardhshme mund të bëjë edhe një shumicë absolute, duke mbushur parlamentin me mercenarë që mund të zënë vendet e lëna bosh nga PD-ja, por në këtë rrugë nuk do të zgjidhë asgjë. Ai do ta shtyjë krizën edhe disa muaj. Por, siç ka treguar historia e 22 viteve më parë, zgjidhja në këto raste mund të jetë e dhimbshme, e dhunshme dhe me kosto fatale për vendin. Për këto dhe shumë të tjera, Edi Rama duhet të largohet sot, për t’i hapur rrugën një ere të re dhe reformave të mëdha të sistemit politik, rivendosjes së lirive republikane, sundimit të ligjit, rindërtimin e shtetit modern dhe ekonomisë së fortë konkurruese, përtëritjes së elitës drejtuese shqiptare dhe ndërtimit të një të ardhmeje të denjë e të lumtur të kombit shqiptar në trojet e veta në Ballkan. #ZgjidhjaPërShqipërinë

Please follow and like us: