Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Nako: Eqerem Bej Vlora mbetet aktual

 

Në librin e tij të shkëlqyer me kujtime, ndër të tjera, Eqerem Bej Vlora hedh disa penelata mbi profilin e një kaste shqiptarësh nën perandorinë otomane. Ai thotë se ka shqiptarë të shkolluar, të mençur, të ndershëm që e duan sinqerisht dhe seriozisht pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia, por kur vjen puna për sakrifica, ata e kanë të vështirë të heqin dorë nga privilegjet që gëzojnë.
Këto rreshta mu kujtuan kur shihja debate të shumta lidhur me qëndrimin e vajzës së Azem Hajdarit, Rudina.
Një vajzë e shkolluar që duket se sinqerisht mendon se në Shqipëri ka nevojë për të përmbysur një sistem të kalbur politik. Janë të shumtë ata që e përkrahin, por për ta besuar kërkohen edhe prova me qëndrime që kanë simbolikë dhe përmbajtje të qartë. Për idetë që ka, Rudina përdor tribunën e parlamentit, mandatin e deputetes. Këtu fillon edhe problemi që ka Rudina. Ajo e ka përfituar këtë mandat parlamentar pikërisht nëpërmjet sistemit politik që kërkon të përmbysë. Me fjalë të tjera, Rudinës i është bërë një dhuratë e cila është bazuar jo mbi përballjen e saj të drejtpërdrejtë me elektoratin, jo mbi kontribute politike personale, jo mbi një karrierë të fortë brenda partisë, por në bazë të një listë partiake në të cilën klasifikimi është hartuar mbi kriter preferencash. Klientelizëm që irritoi rëndë Lefter Maliqin. Në rast se kolegët e saj e kanë djegur këtë mendat dhe Rudina mendon se është antidemokratike, është e drejta e saj të mos i ndjek nga pas. Por duke e mbajtur veten më ndryshe, e tillë ajo duhet të ishte që në fillim. Të mos e kishte pranuar fare një mandat të pamerituar. Të mos ishte bërë pjesë e një sistemi që sot kërkon të përmbysë. Dhe që duhet përmbysur. Do të ishte e besueshme nëse sot ajo do të gjente një mënyrë për të hequr qafe këtë privilegj që i është bërë. Por në bazë të asaj që thotë i ndrituri Eqerem Bej Vlora, asaj, si gjithë të tjerët e sërës së saj, nuk pëlqen të sakrifikojë duke iu futur punës nga poshte. Sepse tashmë është mbi kalë.

Please follow and like us: