Afrimi me Rusinë,Turqia mund të përballet me sanksione të ashpra amerikane
Udhëheqësit e dy Komiteteve të Senatit amerikan, atij për Marrëdhëniet me Jashtë dhe tjetrit për Shërbime të Armatosura, paralajmërojnë Turqinë se rrezikon të përballet me sanksione të ashpra nëse vazhdon planet e saj për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 të Rusisë, shkruan “Radio Evropa e Lirë”. “Deri në fund të vitit, Turqia në tokën e saj ose do të ketë aeroplanë luftarakë amerikan të avancuar F-35 ose një sistem mbrojtës raketor sipërfaqësor në ajër të Rusisë S-400. Nuk do t’i ketë të dyja”, thanë senatorët republikanë, Jim Risch dhe Jim Inhofe dhe ata demokratë Bob Menendez dhe Jack Reed në një shkrim të botuar në New York Times. “Sanksionet do të godasin ekonominë e Turqisë duke vështirësuar tregjet ndërkombëtare, duke shmangur investimet e huaja direkte dhe duke dëmtuar industrinë e aviacionit dhe të mbrojtjes turke”, thanë ata, shkruan “REL”. Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të SHBA-së, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar se vendi tij do të blej sistemin raketor rus. SHBA-ja ka thënë se ky sistem do të kompromentojë sigurinë e aeroplanëve ushtarak amerikanë të cilët përdorin teknologji të fshehur. Turqia po synon blerjen e këtyre aeroplanëve. Mirëpo, katër senatorët amerikanë, më 28 mars, prezantuan një projekt-ligj dypartiak, për të ndaluar transferimin e aeroplanëve F-35 në Turqi derisa qeveria e SHBA të vërtetojë se Ankaraja nuk do të marrë dorëzimin e sistemit rus S-400. Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Të mërkurën, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, tha se Turqia rrezikon anëtarësinë në NATO nëse blen sistemin rus.