Albspirit

Media/News/Publishing

Kostas Uranis: VAJZAT E PROVINCAVE

 

Ι

Më vijnë ndër mend ato vajza në të largëtat
provinca, kur një muzg i zbehtë edhe i ftohtë afron,
nga mbrapa xhamit ngultazi rrinë edhe vështrojnë rrugën,
dhe psherëtijnë, sepse kurrkush andejza nuk kalon…

Më shkojnë në mend kur ditëve të mugëta të vjeshtës,
pikat e shiut tek vështrojnë, si në oborr kërcejnë,
dhe mbështjellin shallin mbi supet e tyre të brishta,
pse mornicat e akullta në fund të shpirtit i ndjejnë…

ΙΙ

A ju vijnë ndër mend ndonjëherë vajzat e provincës,
që presin me durim në darkë të vijë në fshat gazeta,
që të lexojnë pangopësisht vazhdimin e romanit,
për të marrë vesh se bota ç’ bën e si jetohet jeta?

Që kartolina shpesh këmbejnë – “pejsazhe edhe lule” –
mbajnë fshehtazi korrespodencë me nota romantike,
me një djalosh q’ e ëndërrojnë të bukur e plot hire,
dhe është ai zyrtar i lartë në një ndërtesë gotike?

Që shkruajnë me kaligrafi* – mbushur me plot gabime –
“mendime” në ditar q’ i kanë prej librave lexuar,
dhe ku me plot melankoli shkuajnë me pseudonime,
siç: “Shpirti që s’ndjen Dashuri” a “Zemr’ e Përvëluar?”

ΙΙΙ

Unë shpesh i bie nëpër mend ato vajza pse janë,
motra të Emma Bovary* – së, që presin me durim
të Riun e përrallave, një pasunar të bukur,
që do t’ iu falë jetën plot dritë, të ardhmen plot shkëlqim…

Kur vallë do vijë? Kur do mbërrijë nga ajo kaltërsi,
nga mbretëri e Fantazisë, krahëhapur, i malluar,
ta shohin e t’u buzëqeshë plot gaz e dashuri.
Kur vallë do vijë, pse po mënon? Pse është kaq i vonuar?

Vallë nuk e di se ky durim e kjo pritje mortore,
i tret shpitrtat e çiltëra, i shkrin porsi qirinj?
Dhe nuk mendon, se po të vijë një ditë, e po të gjejë,
dritën e fikur dhe – o Zot – pa jetë dy sytë e zinj?

Kur do mbërrijë? Ajo vetmi, ai trishtim i hidhur,
– kur vjeshtë e zbehtë edhe e ftohtë muzgun e vetë ofron –
të rejat e provincave vështrojnë ngultaz nga rruga
dhe psherëtijnë, sepse kurrkush andejza nuk kalon…

kaligrafi* (greqisht) – bukurshkrim.

Emma Bovary* – pesonazh i romanit “Madam Bovary” i Gustav Flober.

Shqipёroi: Arqile Garo
Janninё, prill 2018.

Image result for Kostas Uranis

Please follow and like us: