Vatra dhe Dielli, Autoriteti më i Lartë moral i Botës Shqiptare
Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare….
NGA DRITAN MISHTO*
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
I Nderuar z. Editor i Diellit, Dalip Greca dhe Editore e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti,
Të nderuar z. Harris, Drejtor në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në Zërin e Amerikës, Prof. Nicholas Pano si edhe ju studiues shkencorë, profesorë dhe lektorë,
Të nderuar Anëtarë të Kryesisë së Vatrës, Anëtarë të Këshillit të Vatrës dhe Kryetarë të Degëve,
Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,
Të dashur vatranë dhe bashkëatdhetarë kudo që ndodheni.
Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amërikës VATRA të deklaroj të hapur Sesion Shkencor kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli.
Ne jemi të lumtur që sot Gazeta Dielli feston këtë përvjetor me madhështi dhe me një respekt të padiskutueshëm ndër lexuesit bashkëkohorë, madhështi e respekt të cilin jo vetëm simotrat e saj të shuara gjatë rrugës së vështirë të jetës, por edhe gazeta të kombeve të tjera do ta kishin zili.
Dua që në emër të Federatës VATRA të kujtoj me respektin dhe mirënjohjen më të madhe editorët ndër vite të Gazetës sonë: Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Kristo Dako, Dennis Kamburi, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni Kristo, Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Andrea Elia, Nelo Drizari, Peter Çiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Bilal Xhaferri, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço, Arshi Pipa dhe Anton Çefa.
Përpara një viti u nda nga jeta Presidenti i Nderit i Federatës VATRA z. Agim Karagjozi, të cilit i takon merita e madhe e ribotimit të Diellit në cikël të pandërprerë periodik dhe përzgjedhja e Editorit tonë z. Dalip Greca, të cilit në emër të Kryesisë së Federatës VATRA dua t’i shpreh publikisht respektin dhe mirenjohjen më të madhe që me një punë tej çdo parashikimi arriti ta mbajë Gazetën Dielli në nivelin e një tempull të vërtetë të mendimit bashkëkohor shqiptar.
Unë jam shumë krenar dhe i lumtur që pas Kuvendit Historik të vitit 2017 dhe ngritjes së Federatës sonë në një stad të lartë tashmë, ne kemi edhe Editoren e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti të cilën e falenderoj publikisht për punën e saj të shkëlqyer.
Të dashur bashkëkombas,
Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare.
Ne të ecim përpara me ritëm të shpejtë sepse gara jonë nuk është me të shkuarën apo edhe me atë çfarë ne vetë po bëjmë, por gara jonë është me atë që koha na kërkon të bëjmë. Dhe nuk jemi këtu sot për vehten tonë, por jemi këtu që fëmijët tanë të mos maten me punët tona, por me kërkesat e kohës që ata do të jetojnë. Unë, si kryetar i Federatës VATRA, Editori, Kryesia, Këshilli dhe anëtarësia jemi të vendosur dhe të palëndur në objektivat tona.
Së fundi, edhe njëherë, i shpreh këtij auditori falenderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj këtu dhe jam i bindur në suksesin e këtij sesioni shkencor dhe se produkti i tij është një bazë e fortë për Diellin e nesërm.
Rroftë Gazeta Dielli
Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA
Zoti Bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen
Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës
* Përshëndetja e Kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto në Seminarin kushtuar 110 vjetorit të themelimit të Gazetës”DIELLI”, 6 prill 2019.-Botoi Dielli ne Prind-Prill 2019.