Basha mbyll protestën nga Elbasani: Të vendosur për largimin e Ramës
Opozita e Bashkuar ka protestuar sot në 12 qarqet e vendit ku janë bllokuar akset kryesore kombëtare për më shumë se 120 minuta. Mbështetësit e thirrur nga opozita bashkë me ish-deputetët janë mbledhur duke bllokuar qarkullimin si shenjë e mosbindjes civile nga qeverisë. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme të lira e të ndershme. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë në Elbasan, tek mbikalimi i Bradasheshit ku është vendosur në krye të protestuesve. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ishte me protestuesit tek rrethrrotullimi i Plepave në Durrës.
Kryedemokrati, Lulzim Basha tha se nëna e të gjithë të këqijave në Shqipëria është vjedhja e zgjedhjeve nga kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe as hapa pas. “Unë e di se në këtë protestës jenë bashkuar hallet dhe problemet e qindra të rinjve, nga Elbasani, nga universiteti i Elbasanit. Të rinjtë largohen se nuk gjejnë shpresë dhe ekonomi, sepse paratë publike përfundojnë tek Edi Rama dhe ministrave të tij. Nuk lënë asnjë aset publik pa vjedhur e shpërdoruar. Nëna e të gjithë të këqijave është vjedhja e zgjedhjeve nga Edi Rama. Duke vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka shkaktuar dëshpërimin më të thellë. Me Ramën nuk ka sigurim, punësim, Europë. Ne Edi Ramën nuk ka punësim masiv, por ka drogë. Jemi për të vendosur largimin e Edi Ramës. Nuk ka më forcë mbi tokë që e shpëton. Ne jemi sot në këtë betejën për më shumë se kaq. Me fitoren e kësaj beteje, do t’i japim fund makthit të varfërisë që ka pllakosur kudo. Do tu japim të rinjve perspektivën e Shqipërisë si e gjithë Europa. Në këtë vend, që nuk i mungon asnjë resurs, por mungon ligji dhe kushtetuta. Kjo betejë ka transformuar Shqipërinë në një mënyrë përfundimtare dhe themelore, Kjo është maxhoranca sociale dhe morale në vend. Ne do ti japim fund tranzicionit të tejzgjatur dhe për të hapur rrugë integrimin në Europë. Pa zgjedhje të lira nuk mund t’i japim fund varfërisë”, tha Basha. “Rezistenca shembullore në Elbasan, në Shkodër, në Vlorë, në Durrës, Gjirokastër, berat, Korçë, Dibër, Kukës, padyshim në Tiranë dhe në Lezhë tregon se vetëdijësimi i qytetarëve për të marrë në dorë fatin e tyre, vetëdija juaj se askush tjetër s’mund të jetë zot në shtëpinë tuaj, përveç se ju qytetarët e lirë të këtij vendi sovrani është sot garancia numër një se beteja jonë e drejtë, kauza jonë për liri dhe demokraci do të ketë vetëm një përfundim, mposhtjen e klikës, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, fitoren e shqiptarëve të bashkuar. Më 11 maj, ditën e shtunë, ne do të kemi protestën tonë të katër kombëtare, në më pak se 3 muaj. Po të mos ishte për bashkim tuaj sot Shqipëria do të bëhej gati të vendoste duvakun e vendeve aziatike që i nënshtrohen dhunës, sundimit pa ligj, padrejtësisë të uzurpatorëve të paligjshëm të pushtetit, autokratëve e diktatorëve. Këta sheh Edi Rama dhe frymëzohet”, deklaroi Basha nga Elbasani. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se në Tiranë protestuesit kanë ndezur tymuese dhe flakadanë dhe kanë lëshuar thirrje “Rama ik”. Në krye të protestuesve janë vendosur ish-deputetë të opozitës. Pak para mbylljes protestuesit i janë drejtuar më këmbë “Zogut të Zi”.
Tiranë/Gazment Bardhi: S’ka tryezë dialogu me shkaktarin e krizës
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ndodhur tek rrethrrotullimi në sheshin “Shqiponja” foli për News 24 teksa tha se PD-ja nuk do të ulet në tryezë me shkaktarin e krizës politike, i cili sipas tij është kryeministri Edi Rama.
Ambulanca njëra pas tjetrës, protesta në Fier
Teksa simpatizantë dhe anëtarët e opozitës ishin mbledhur të etuziazmuar për bllokimin e rrugëve, dy autoambulanca kanë koinciduar duke kërkuar kalimin përmes aksit rrugor, i cili po mbahej i bllokuar nga protestuesit. Ata janë larguar duke bërë kështu një akt human.
Protesta/ Dibranët e ndezin flakë e mblidhen rreth zjarrit
Protesta e opozitës po zhvillohet në këto momente edhe në qarkun e Dibrës, ku shumë anëtarë, qytetarë dhe simpatizantë kanë bllokuar rrugët, ndërsa vijojnë të djegin goma mjetesh.
Protestuesit kanë marshuar në rrugë duke hedhur thirrje kundër qeverisë.
Në Fier, protestuesit kanë marshuar në vendin e quajtur “Vija e ngjalës” drejt Urës së Mbrostarit.
FIER
Në Durrës është bllokuar autostrada Kavajë-Durrës. Protestuesit janë mbledhur dhe lëshojnë thirrje “Rama ik!”.
DURRËS
Bllokohet rruga në Lezhë, policia thirrje: Shpërndahuni
Qindra mijëra qytetarë mbështetës të opozitës janë mbledhur në Lezhë duke bllokuar mbikalimin e Milotit, aty ku një javë më parë ishte kreu i PD-së Lulzim Basha. Protestuesit kanë bërë thirrje kundër kryeministrit dhe qeverisë. Gazetari Elidon Ndreka raportoi se policia iu ka bërë thirrje të shpërndahen pasi protesta sipas tyre është e paligjshme. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe policia i ka dhënë zgjidhje trafikut duke e devijuar. Me sa duket protesta nuk e ka dhënë impaktin e pritshëm për bllokimin e automjeteve, pasi ato tashme po qarkullojnë lirshëm në aksin e vjetër rrugor Lezhë-Laç. Gazetarja Ledjona Kodra raportoi për “BalkanWeb” se është bllokuar rruga në hyrje të Korçës, në afërsi të fshatit Ciglig. Protesta do të mbahet në rang qarku dhe pjesë e saj pritet të jenë simpatizantë, anëtarë, përkrahës të PD dhe LSI, fermerë dhe grupe të tjera interesi. Edhe në Berat protesta ka çuar në bllokimin e aksit nacional Berat-Lushnje, tek Ura e Kuçit. Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se përfaqësues të Partisë Demokratike dhe aleatë të opozitës së bashkuar janë mbledhur për të protestuar kundër qeverisë “Rama”. Qindra protestues nga i gjithē qarku i Beratit, janë bashkuar në afërsi të Lushnjes, duke bllokuar aksin nacional Berat-Lushnje. Protestuesit kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dyja anët e rrugës nacionale, në vendin e quajtur “Ura e Kuçit”. Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat ka angazhuar efektivë të shumtë policie nga 3 komisariatet: Berat, Kuçovë dhe Urë-Vajgurore./balkanweb/