Ilir Levonja: Ndikimi i Tiranës zyrtare në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut sapo zhvilloi me sukses një palë zgjedhje presidenciale. Për shkak të balatozhit apo pamjaftueshmërisë së votave për të kaluar pragun e duhur, u mbajt një raund i dytë ku edhe fitoi Stevo Pendarovski. Një funksionar i mbështetur nga qeveria aktuale me kryeministër Zoran Zaev. Më parë ai ka punuar si zëvendës ministër i Punëve të Brendshme dhe këshilltar i presidentit fatkeq Boris Trajkovski, i cili humbi jetën një një aksident ajror në 2004.
Ajo që të bën përshtypje është një fatk, ideja se Tirana ka luajtur një rol vendimtar në këto zgjedhje. Kjo me gjasa është merita e politikës së Edi Ramës duke ndikuar tek faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Sot shumë webe të majta trumbetojnë këtë faktor si determinues në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt perëndimit dhe Europës. Eshtë nga ide fikse, plot propogandë idiote, por që ka funksionuar dhe po shkon më tutje në mentalitetin shqiptar.
Të thuash sot se qeveria shqiptare luajti rol të rëndësishëm në afrimin e shqiptarëve me Zaevin, është padyshim një pretendim foshnjarak. Merita e vetme i takon një njeriu dhe ky sot është pikërisht kryeministri aktual Zoran Zaev. Kush ka memorie i kujtohet fare mirë se që në daljet e para publike, Zoran Zaev ka deklaruar se nuk e ka konceptuar asnjëherë Maqedoninë pa faktorin shqiptar. Madje ka thënë tekstualisht që, ‘dua që qytetari shqiptar ta dojë po njësoj si unë këtë Maqedoni’. Dhe që të ndodh kjo, ‘Maqedonia, shteti i duhet t’i përgjigjet në mënyrë të barabartë qytetarëve të saj’. Këto fjalë janë thënë nga pranvera e vitit 2016…atëherë Zaevi ishte një opozitar që demaskonte rrugëve me protesta politikat e lindjes së vjetër të Nikolla Gruevskit, megjithëse qeveriste po me votat e shqiptarëve të BDI-së së Ali Ahmetit. Kryebashkiaku i Strumit tashmë kishte nisur një epokë të re me të vërtetë perëndimore, për të bërë Maqedoninë një lloj Zvicre në Ballkanin Perëndimor. Premtime që i realizoi duke lëvizur edhe kushtetutën e vendit deri sa sot gjuha shqipe njihet zyrtarisht në republikën e Maqedonisë së Veriut. Por mbi të gjitha ai prishi tabunë dhe ngërçin midis Maqedonisë me Greqisë aq sa i hapi praktikisht vendit të tij rrugën drejt një integrimi të plotë në Bashkimin Europian. Dhe mos u çudisni nëse kjo ndodh më shpejt se ç’mund të ndodhi për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë meritë, veç asaj që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë se 5 parti politike, duke stanjaciuar veteveten për të mos pasur kurrë shancin si faktor shtet formues. Këtë meritë e ka dhe ta gëzojë…dhuratë nga shtetarët e saj, si ky i tipit Edi Rama.
Ajo që duhet të ndodhte sot në web-et tona, më e udhës do të qe përgjegjësia civile e fjalës së lirë. Për atë që shtetarët shqiptarë duhet të mësojnë shumë nga Zaevët dhe Maqedonia e Veriut. Sepse ndërsa Shqipëria kurrë nuk përmbushi një palë zgjedhje pa u kontestuar, ndërsa Maqedonia shtet multietnik mban zgjedhje të lira pa provokime, pa konfrontime, pa kontestime etj. Zgjedhje që njihen brenda pak orësh dhe kundërshtarët urojnë njëri-tjetrin plot civilizim qytetar. Duhet të mësojnë se ndërsa Maqedonia e Veriut e zgjedh presidentin nga populli, me votën e sovranit, Shqipëria shkon dhe e zgjedh në një lokal peshku, diku nga shallvaret a ndonjë periferi tjetër Tirane. Ja ndryshime diametralisht të kundërta nga Tirana ku ngul e shkul lali Erin përditë në televizor. Ndaj mjaft me propogandë bajate se nuk bëhet vendi duke rrahur gjoksin, por epokën, kohën e saj.