Albspirit

Media/News/Publishing

Chris Patten: Rikthimi i politikës së identitetit

E vizitova për herë të parë Sri Lankën si ministër i zhvillimit për Britaninë në vitet 1980, gjatë fazave të hershme të luftës së ashpër mes luftëtarëve guerrilë – të ashtuquajturit Tigrat e Çlirimit të Tamil Eelam (LTTE) – dhe forcave të armatosura të Sri Lankës. Ky konflikt i përgjakshëm etnik, që vuri minoritetin kryesisht hindu të Tamilit kundër shumicës sinhaleze kryesisht budiste, befasoi ata që e kishin referuar vendin e bukur me popullatë të zgjuar dhe vendndodhje strategjike në Azinë e Jugut, si një model të demokracisë aziatike. Megjithatë këtu shumë prej nesh dëgjuan për herë të parë për bombardimet vetëvrasëse, me raste të kryera edhe nga fëmijë. Ushtria indiane ndërhyri në përpjekje për të ndaluar dhunën. Fluturova në kryeqytetin e territorit të Tamilit në veri të vendit në një avion ushtarak indian për të parë çfarë ndihmash humanitare mund të ofroheshin. Prova të luftimit mund të shiheshin kudo. Më kujtohet shkatërrimi sistematik i laboratorëve kompjuterik dhe ndërtesave të tjera në universitetin e Jaffnës. Vite më vonë, u ktheva në Sri Lanka si komisioner i Bashkimit Europian për të mbështetur përpjekjet e admirueshme të qeverisë norvegjeze për t’i dhënë fund po atij konflikti. Më dërguan të takoja kreun e LTTE, Velupillai Prabhakaran në selinë e tij xhungël. Një person fjalëpak dhe i lig, Prabhakaran nuk ishte shumë i interesuar në kushtet e paqes që Norvegjia, mbështetur nga BE, po propozonte. Pika tjetër e fortë (ose më mirë e dobët) e vizitës sime ishte djegia e portretit tim nga ekstremistët sinhalez ngaqë sugjeroja bisedime paqeje. Lufta civile mori fund në një sulm të përgjakshëm ndaj luftëtarëve të mundur të LTTE në vitin 2009. Dhuna dhe shkatërrimi dukej se kishin marrë fund. Dhe megjithatë tensionet mes shumicës sinhaleze dhe pakicave hindu dhe muslimane nuk janë zhdukur kurrë. Deri vitin e shkuar, pati tre sulme nga budistët Sinhalez ndaj xhamive dhe bizneseve të muslimanëve, dhe komunitetit të vogël të krishterë (shumica katolik), duke bërë që 1.5 milion persona nga një popullatë prej 21.4 milionë vetësh të zihet në kurth në mes. Kjo përzierje fetare dhe etnike shpërtheu në të Dielën e Pashkëve, kur ekstremistët islamik vranë të paktën 250 persona, përfshirë besimtarë të krishterë dhe turistë të huaj dhe plagosën qindra të tjerë. Ishte shembulli më i keq i kohëve të fundit i politikës së identitetit, që erdhi javë pas sulmit ndaj dy xhamive në Christchurch, Zelandë e Re nga një supremacist i bardhë australian. Shkrimtari francez-libanez Amin Maalouf e ka përshkruar politikën e identitetit si një “leopard”, që gëlltit burra, gra dhe fëmijë dhe vlerat që përkufizojnë çdo ndjesi të njerëzimit. Në studimin e tij të identitetit dhe dhunës, laureati i Nobelit ekonomisti Amartya Sen kujton të ketë parë në fëmijëri në Indi një mysliman të tmerruar që ndiqej nëpër oborrin e familjes së tij nga një turmë hindu, që e qëlluan për vdekje. E kishim harruar këtë lloj politike në shumicën e botës, sigurisht që edhe në Europë dhe Amerikë, për dekada që kur  një formë e besnikërisë së identitetit – nacionalizmi i bardhë – ribëri shoqëri të tëra. Libri “Bota e të Djeshmes” e intelektualit hebre austriak Stefan Cvajg ofron një nga përshkrimet më të mira se si civilizimi i pasur dhe brilant i Europës në fillim të shekullit 20 u shkatërrua, së pari ekonomikisht dhe pastaj politikisht nga ata që e përkufizuan identitetin e vet bazuar te besnikëria kombëtare shpesh e lidhur me një histori false dhe institucione të idealizuara. Duke u rikuperuar nga ato katastrofa në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, bota dukej e përçarë ideologjikisht, jo për nga identiteti: kapitalizmi kundër komunizmit, liria kundër totalitarizmit dhe kështu me radhë. Por ato përçarje dhe mënyra të përkufizimit të vetes i dhanë shtysë në shumë raste ndjesisë së kombësisë, ndonjëherë në forma më të frikshme. Pasojat, përfshirë sulmet si ato në Kolombo dhe Chrictchurch – padyshim do ta godisnin Cvajgun dhe Sen si të njohura. Nuk ka asgjë të keqe te nacionalizmi kur është thjesht festim i vlerave, traditave dhe historisë më të mirë të një vendi. Ta quajmë patriotizëm. Por nacionalizmi mund të bëhet lehtësisht një mënyrë mendimi që e shpreh veten duke i kacafytur njerëzit me njëri-tjetrin. Ndonjëherë, “të tjerët” janë vende që shkojnë përtej kufijve kombëtar të dikujt. Bashkëpunimi me ta sulmohet si tërheqje nga mundësia për të ndërmarrë vendime sovrane. Ndonjëherë më e rrezikshme akoma është kur “të tjerët” janë anëtarë të pakicave të një vendi, që mund të jenë imigrantë të kohëve të fundit ose jo, të një ngjyre të ndryshme apo besimeve ose gjuhëve të ndryshme. Politikanët në Europë dhe SHBA duhet të jenë të kujdesshëm me nativizmin populist që po nxisin dhe nga i cili kërkojnë të fitojnë vota, në mënyrë që të mos kthehet në forma më të dhunshme të politikës së identitetit. Cilat janë rezultatet e sulmeve verbale të presidentit Donald Trump ndaj meksikanëve? Çfarë të bëjme me sulmet e zv.kryeministrit italian Matteo Salvini ndaj Papës Françesk lidhur me mikpritjen e krishterë ndaj emigrantëve? Si duhet të përgjigjemi ndaj sulmeve politike të krahut të djathtë ndaj muslimanëve në Europë apo sulmeve të krahut të majtë ndaj hebrenjve në Britani? Kur rrezikojnë të sjellin dhunë mesazhet raciste nëpër mure apo online? Demokracia liberale është një strukturë më e brishtë nga sa mendojmë. Në Mbretërinë e Bashkuar, një pjesë e madhe e partisë konservatore ka përqafuar nacionalizmin anglez, që ofron një kërcënim ekzistencialist ndaj strukturës kushtetuese të vendit. Ka gjithashtu shqetësime se ky lloj nacionalizmi – i përfshirë në partinë e re të Brexit që Nigel Farage ka lançuar për tu afruar me konservatorët e pakënaqur armiqësor ndaj Europës – do të mbulojë ndjesi që janë për tu kritikuar. Këto frikëra janë të justifikuara. Loja me zjarrin mund të jetë e rrezikshme. Me tu ndezur, nacionalizmi mund të dalë shpejt jashtë kontrollit, duke konsumuar të gjitha strukturat e bashkëpunimit dhe duke i lënë komunitetet – si dhe shtetet – në mëshirë të arsonistëve edhe më të rrezikshëm./Project Syndicate/

Image result for europa

Please follow and like us: