Unaza e Re, gjykata lë të lirë Klevis Balliun dhe 3 të tjerët
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë lidhur me ish-deputetin demokrat Klevis Balli dhe tre të arrestuarit e tjerë, Seit Hajdarasi, Elton Skënderi dhe Lulzim Marqinaj. “Detyrim paraqitje” u vendos për Balliun dhe tre të arrestuarit e kësaj të mërkure, teksa banorët e Unazës së Re, po protestonin kundër pranisë së Edi Ramës në një biznes aty pranë. Kështu të akuzuarit do të hetohen në gjendje të lirë, ndërsa akuzohen për veprime të dhunshme mbi policinë dhe shkatërrimin e pronës. Të pandehurit duhet të paraqiten në polici dy herë në javë. Veprimet procedurale ndaj të dyshuarve janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Nga ana e policisë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë, si dhe 3 janë shpallur në kërkim. Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ‘Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.