Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Demagogjia e politikanëve aktualë

 

Udhëheqësit shqiptarë nuk janë të vërtetë e të sinqertë, as kur shahen e as kur shtiren sikur duhen. Ata, krejt hapësirën publike, mediat dhe facebookun, i përdorin në funksion të propagandës dhe interesave të tyre tejet të ngushta politike e ekonomike. Në të vërtetë, punën më të mirë që ata dinë ta bëjnë është propaganda, tipike komuniste. Ndaj, edhe i gjen kudo dhe në çdo kohë. Me dhjetëra postimi në ditë, në të cilat tregojnë dokrra e budallaqe pafund, e të cilat tentojnë t’i sheshin si punë e vepra.
Gjithë këtë propagandë ata e bëjnë të vetëdijshëm, meqë nuk kanë vepra dhe punë të vërteta që shihen e mbesin. Në këtë mënyrë, ata tentojnë ta mbulojnë diellin me shoshë. Në të kundërtën, veprat e vërteta, do të flisnin vetë, ashtu siç flasin kudo në vendet tjera, ku ka mirëqenie, stabilitet dhe zhvillim.
Po, udhëheqësit budallenj që kanë zbuluar facebookun, janë të shumtë dhe të njëjtit e kanë fëlliqur krejt ligjërimin publik, duke mbjellë helm e urrejtje, me një gjuhë të pështirë dhe ide shterpe, dhe kështu e kanë shëmtuar atmosferën e ideve publike.
Ligjërim i pështirë që kemi lejuar tash e sa kohë të promovohet, ka arritur dërmojnë shpirtërisht shoqërinë shqiptare.
Udhëheqësit shqiptarë, flasin pa kurrfarë respekti, etik publik dhe pa kurrfarë standardi intelektual.
Fatkeqësisht, soji i tyre, në vend që të izolohet, ka gjetur mjaft hapësira mediale ku mund të shfrejnë si të duan e sa të duan.
Vërtet, udhëheqësit shqiptarë, punën më të mirë që dinë ta bëjnë tash e sa kohë është propaganda, për të cilën kujdesen jashtëzakonisht shumë dhe në të cilën fushë investojnë shumë.
Me siguri, sikur të kujdeseshin për temat tjera sikur për propagandë, në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk do të mbretëronte atmosferë e zymtë dhe e pashpresë, kurse qindra mijëra shqiptarë, nuk do të bënin çmos për të gjetur mundësi për t’i braktisur vendet e tyre.
Temat e mëdha politike, janë tema që u shërbejnë vetëm këtyre politikanëve dhe interesave të tyre tejet të ngushta, për të siguruar ekzistencën e tyre politike.
Politikanët e mirë flasin për zhvillim, për çerdhe, libra, shkolla, universitete, rrugë, infrastrukturë, kulturë, ajër të pastër, shëndetësi, estetikë urbane…

Image result for grushta ne kuvend

Please follow and like us: