Borchardt: Në Shqipëri sulmohet kush vendos fakte kundër mitit
Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt ka folur për herë të parë pas shënimeve “turp për ju”, në rezidencën e tij në Tiranë. Në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”. Kreu i prezencës së OSBE në Tiranë tha se zgjatime të së kaluarës totalitare ka ende dhe në Shqipëri dhe se sulmohet kush vendos fakte kundër mitit. “Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit”, tha ambasadori. Ai deklaroi se e dëgjon tepër shpesh këtë diskurs diktatorial nga tepër politikanë të spektrit politik shqiptar, që nga rënia e regjimit komunist deri në ditët e sotme. “Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, u shpreh ai. Në fund ai deklaroi se ‘Shqipëria ka ende mjaft rrugë për të bërë përpara se të arrijë në këtë stad ideal. Siç e kemi parë, rruga është e mbushur me sfida, madje edhe në demokracitë shekullore. Ne, si Prezencë e OSBE-së, jemi këtu për ta ndihmuar Shqipërinë që të vijojë të ecë në këtë rrugë’.