Albspirit

Media/News/Publishing

Sandër Lleshaj: Zgjedhjet nuk i ndalon dot askush!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komenton protestat e opozitës të pasuara me incidente dhe dhunë, por edhe për përgatitjet për 30 qershorin dhe deklaratat e opozitës se zgjedhje nuk do të ketë. Pas takimit që zhvilloi me drejtues vendorë të qarkut Korçë, autoriteteve lokale dhe policisë, ai tha se për arsye se e kërkon Kushtetuta dhe ndalimi i tyre nuk është atribut i kurrkujt, askush nuk mund t’i ndalojë zgjedhjet, pasi ato janë të qytetarëve shqiptarë. “Sigurisht që nëse do të ketë njerëz që do të dalin nga kufijtë e arsyes dhe të ligjit, patjetër që organet përkatëse të sigurisë dhe të ligjzbatimit do të marrin masat e duhura. Plane ka për gjithçka”, u shpreh ministri i Brendshëm. I pyetur nëse në protestën e 25 majit të opozitës do të përdoret gaz lotsjellës, Lleshaj tha se çështjet e reagimit të policisë ndaj protestuesve i ka në dorë policia dhe se ministri nuk merret me çështje të karakterit operacional. “Po ju them që policia ka këtë qasje dhe detyra e dhënë nga ministri, që është shndërruar në strategji është “1 1 0”: një moment më mbrapa në kohë, pra Policia do të reagojë gjithmonë një hap më mbrapa; një shkallë më poshtë në nivelin e dhunës dhe zero viktima, kjo është qasja e Policisë; pra gjithmonë më pak sesa ajo që është përballë, nëse dikush ngre dorën kundër Policisë sigurisht Policia do të përgjigjet, sepse duhet të përgjigjet, por gjithmonë reagimi i Policisë do të jetë proporcional dhe gjithmonë më poshtë sesa reagimi i atyre që ngrenë dorën ose tentojnë të ballafaqohen me Policinë e Shtetit”, deklaroi Lleshaj, duke sqaruar se kjo gjë do të zbatohet për ata që tejkalojnë reagimin.

Please follow and like us: