Albspirit

Media/News/Publishing

Sa vite burg rrezikon ish-gjyqtari Thanza?

Prokuroria e Tiranës, kërkon dënimin me 1.6 vite burg, për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Kjo kërkesë u bë në seancën e sotme gjyqësore  dhe vjen pak kohë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi nga detyra, në kuadër të procesit të vetingut, për shkak të një dënimi të pa deklaruar nga ana e gjyqtarit. Ish-gjyqtari po gjykohet për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Kjo pasi nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të vetingut rezultoi se Thanza ishte dënuar për vjedhje në Itali, ku kishte dhe një gjobë, por në formularin e dekriminalizimit e kishte fshehur. Ai është dënuar për vjedhje në vitin 1999 nga shteti italian. Në vendimin e gjykatës italiane, Thanza është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë. Në seancën dëgjimore, Thanza deklaroi se kurrë në jetën e tij nuk do mund të bënte një veprim të tillë, por se pafajësinë e mori përsipër për të mbrojtur një fëmijë, djalin e vëllait të tij. “U bë një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit se nuk do të jetë asnjë shënim, përveç një gjobe. Madje unë e falënderova gjyqtarin për gjobën. Kur isha subjekt i dekriminalizimit mora certifikate dhe isha i pastër. Me sinqeritet, s’mund ta imagjinoni dot dhimbjen që ndieja për të. Nipi është pa baba, ka patur një sëmundje të rëndë dhe u dërgua në Itali për kurim dhe krimin e kreu kunata. E mora përsipër fajin për të shpëtuar nipin, jo kunatën. Druaja se djali i vëllait do mbetej pa përkrahje, nëse dënohej e ëma dhe gjendja e tij nuk ishte e mirë”, deklaroi gjyqtari. Ndërkohë, në raportin e ILDKPKI thuhej se Thanza ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, ka fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme.
Please follow and like us: