Mehmetali Rexhepi: Dy jetë për skenën teatrale
Mehmetali Rexhepi
Shënime për aktorët Ramadan Kurti dhe Jashar Shahiqi.
Sot, jo pa emocione, pensionohen aktorët: Ramadan Kurti dhe Jashar Shahiqi. Që të dy këta aktorë të Teatrit Profesional të Gjilanit, përfaqësojnë brezin e aktorëve të viteve pas të shtatëdhjetave të shekullit njëzet dhe vijuan të jenë në skenë deri më tash. Qoftë njëri, qoftë tjetri: Dani e Jashari me lojën dhe shqiptimin artistik të fjalës, i dhanë gjallëri, secili në mënyrën e vet, tekstit dhe nëntekstit dramatik të një vargu dramaturgësh shqiptarë e botërorë.
Dhjeta-qindra faqe tekstesh duhej mësuar përmendësh, dialogë e monologë të shpirtit e të ngjalljes tyre në skenë. Mirëpo, nuk ishte e tëra vetëm mbajtja mend e tekstit… Teksti me nëntekstin duhej lexuar e rilexuar, zbërthyer në krijesa karakteresh brenda psikologjisë tyre dhe përjetimit autorial; gjithnjë në përputhje me lojën dhe idenë, tablonë e rekuizitat skenike, përkuar me konceptimin e regjisorit për lëvizjet dhe intonacionin dramatik… Ata do t`i jepnin trajtë shfaqjes të dhimbjes së njëmendët dhe shpifjes saj, siç e kërkonte ironia dhe koncepti ideor i satirës. Po ashtu, kësaj pleksjeje i përkiste edhe lumturia si ndjeshmëri individuale, shoqërore e politike që demaskonte gjendjet tiranike të akëcilës tirani a regjim tiranik brenda dhe jashtë botës shqiptare.
Po t`i shpalojmë veprimtaritë skenike-dramatike, recitalet, kolazhet artistike, leximet poetike në sa e sa përurime librash poetik, paraqitje në përvjetorë ngjarjesh e dëshmorësh, figurash të artit e veprimtari shkollore, gjithsesi na kujtohen Ramadan Kurti e Jashar Shahiqi… Përderisa Jashari, që i përket familjes të brezit prijatarë në skenën e Teatrit të Kombësive në Shkup dhe në Teatrin e Gjilanit, si i mirënjohuri Muharrem Shahiqi, pastaj Sabedin Shahiqi, më i riu prej tyre, për shkaqe shëndetësore do t`i mungonte teatrit; Ramadan Kurti vijoi të mbetet i përhershëm… Dani si aktor i jepte ndjeshmëri, gjallëri, tipare e ngjyra emocionale, ideore, artistike-estetike, bukuri fjalës e shqiptimit poetik të saj përmes personazhit të identifikuar në rolin e tij.
Paraqitjet e këtyre aktorëve ishin të pandalshme, edhe kur ndiqej çdo veprimtari publike shqipe nga pushtuesit serbë, si tek “Flaka e Janarit”, në tribuna e tryeza të ndryshme në Gjilan e në mjedise tjera të rrethinës së Gjilanit, në Dardani(Kamenicë), në Viti, në Preshevë e Bujanoc, në Prishtinë e gjetiu.
Kemi një mori arsyesh e ndjeshmërie t`i nderojmë artistët e skenës sonë teatrore: Jashar Shahiqin dhe Ramadan Kurtin… Teatri Profesional i Gjilanit si institucion, asnjëherë nuk arriti t`i kënaqte as kërkesat më themelore financiare për aktorët e vet, veçmas për këta dy artistë dhe miq tanë të dashur!
Në qoftë se Jashari pati fatin e rrethanës familjare, që të mos varej aspak nga ato pak donacione financiare të Institucionit të Kulturës për Teatrin, artisti Ramadan Kurti shpesh është shtyrë në cep të ekzistencës materiale familjare?!… Megjithatë, Ai asnjëherë nuk u thye… Mbeti stoik në këmbë që të ngjitej sërishmi në skenën magjike të teatrit! Ideali artistik i Ramadan Kurtit për teatrin dhe kombin nuk lejoi thyerjen dhe zvetënimin… Ia doli si mundi dhe përherë e takonim të buzëqeshur…
Andaj, pensionimi i Ramadan Kurtit dhe Jashar Shahiqit, ngërthen ndjenja të ngadhënjimit të vullnetit mbi rrethanat dhe, në këtë datë jubilare për ta dalin në pah emocionet, meritat, krenaria, kontributi e mbresat e natyrshme të moshës…
Besojmë se edhe tash e tutje do t`i kemi përvojat dhe këtë kapital për pasuesit e tyre…
Ju lumtë për vullnetin dhe përkushtimin tuaj: Ramadan Kurti dhe Jashar Shahiqi!
Gjilan, më 20 maj 2019