Nikollaq Neranxi: Biznesi është më i fortë se një pushtet i korruptuar!
SOS, të bashkohemi që t’i tregojmë këtij shteti të korruptuar, se biznesi është më i fortë se ai!
Nikollaq Neranxi
Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë
Të nderuar tregtarë, sipërmarrës të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj! Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, dhe si sipërmarrës i një biznesi Vip prej 28 vitesh, bëj thirrje të mblidhemi në një takim urgjent!
Situata që po kalojmë është kritike. Rënia e konsumit si pasojë e varfërisë që po thellohet për ditë, si dhe e largimit masiv të shqiptarëve, e ka sjellë biznesin e ndershëm, formal dhe që nuk është klient i pushtetit, në kushtet e mbijetesës.
Këtij problemi kaq të madh, i shtohet edhe fakti se institucionet shtetërore po sillen si gjobëvënës. Na bëhen për ditë padrejtësi dhe nuk kemi ku të ankohemi! Bëhen përditë ligje si të na falimentojnë dhe nuk kemi gjykatë ku të ngrejmë një padi.
Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë! Në këto kushte ekstreme, ne si sipërmarrës duhet të bashkohemi dhe të marrim vendime, qoftë edhe esktreme, për të shpëtuar punën tonë që e kemi ngritur me djersë dhe që kërkojnë të na e shkatërrojnë qëllimisht! Forca jonë është më e madhe se intrigat e pushtetit ndaj nesh!/perqasje.com/