Albspirit

Media/News/Publishing

Kosovë, shtetasi rus i UNMIK-ut shpallet person i padëshiruar

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të premten se ka kërkuar nga ministria e Jashtme që shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara të shpallet person i padëshiruar.Ai ishte ndaluar të martën gjatë operacionit të policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe për arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.

A mund të shpallet punonjësi i OKB-së person i padëshirueshëm?

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nuk e ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shpalljen e punonjësit të saj person të padëshirueshëm.

Në fillim të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres, kishte theksuar se një gjë e tillë “nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara”, duke reaguar ndaj vendimit të qeverisë së Somalisë e cila e shpalli “të padëshirueshëm”, përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së atje, Nicholas Haysom.

“Siç thuhet në Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, doktrina për personat e padëshirueshëm, zbatohet për marrëdhëniet diplomatike dypalëshe ndërmjet shteteve. OKB-ja nuk është shtet dhe personeli i saj nuk është i akredituar në vendet ku ata janë të vendosur, por punojnë nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm “, thuhej në reagimin që mban datën 4 janar të këtij viti.

Shtetasi rus, i cili u lirua po atë ditë, ishte ndaluar gjatë ndërhyrjes së policisë për të larguar nga rruga barrikadat e vendosura nga serbët lokal në komunën e Zubin Potokut. Policia tha se në njërën nga barrikadat ishte një makinë e UNMIK-ut dhe dy punonjës të kësaj organizate.

Të premten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se i ka kërkuar ministrisë së Jashtme që në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të shpallet person i padëshirueshëm shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov.

Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin. Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit!”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Ramush Haradinaj.

Please follow and like us: