Austria do të drejtohet nga një qeveri tranzicioni
Presidentja e Gjykatës Kushtetuese në Austri, Brigitte Bierlein, do të jetë kancelarja e ardhshme e Austrisë, deri në zgjedhjet e ardhshme. Presidenti austrialk Alexander Van der Bellen, bëri të ditur në Vjenë se do ta emërojë atë “pas pak ditësh”, në postin e kancelares. Kryetari i qeverisë konservatore austriake, Sebastian Kurz, e humbi votëbesimin në kuadër të aferës me video nga Ibica.
Presidenti Van der Bellen e ngarkoi zonjën Bierlein me krijimin e një qeverie të re, që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar që do të mbahen në vjeshtë. “Unë e kam njohur dhe vlerësuar presidenten Bierlein si një personalitet të matur, largpamëse dhe shumë kompetente.” Van der Bellen theksoi, se bëhet fjalë për administrimin e mirë dhe të duhur të punëve të shtetit. Ai ka rënë dakord me Bierlein që në qeveri të marrin pjesë kryesisht ekspertë të njohur. Ai tha se pret nga partitë e përfaqësuara në parlament, përkrahje për qeverinë e ekspertëve.
Personat për kabinetin e ekspertëve
Bierlein deklaroi se ish presidenti i Gjykatës Administrative, Clemens Jabloner është i gatshëm të bëhet zëvendëskancelar dhe ministër Drejtësie. Drejtuesi aktual i Seksionit europian në Zyrën e Kancelarit, Alexander Schallenberg, do të jetë kandidati për ministër të Jashtëm. Personalitetet e tjera që do të marrin pjesë në kabinet do të emërohen ditët e ardhshme. Detyrën si presidente e Gjykatës Kushtetuese, Bierlein tha se do ta dorëzojë para se të emërohet kancelare.
Juristja është gruaja e parë që bëhet kancelare
Juristja Bierlein, e lindur më 1949 në Vjenë është zgjedhur më 2003 në zëvendëspresidente dhe në shkurt 2018 presidentja e parë e Gjykatës Kushtetuese në Austri. 69 vjeçarja ka kontakte të mira me konservatorët e ÖVP por edhe me populistët e djathtë të FPÖ.