Mentor Kikia: Zgjidhja e krizës fillon nga ndryshimi i sistemit zgjedhor!
Tashmë gjërat janë qartësuar. Qeveria nuk do të bjerë me dhunë dhe zgjedhje nuk do të bëhen as në 13, as në 17 Tetor. Pa u krijuar SPAK, BKH dhe Gjykata Kushtetuese, nga “fronti i perëndimit” nuk do të ketë asnjë lajm. Pra kriza do të presë…
Por kjo nuk është krizë personale e Bashës me Ramës, apo e Metës me Ramën. Kjo është kriza e sistemit politik, që u majis me tërë qelbin e tij dhe shpërtheu në këtë formë. Dhe zgjidhja e saj nuk mund të vijë as me përmbysjen, qoftë edhe me dhunë, të qeverisë, as me një marëveshje (mos o Zot) të re Rama-Basha.
Kjo është një krizë që ka nisur herët dhe duhet të zhgjidhet jo për të sjellë paqen politike për momentin, por për të stabilizuar binarët e hallakatur të demokracisë.
Ndaj ajo duhet të fillojë të zgjidhet nga sistemi zgjedhor. Jo retushim i Kodit, por ndryshimi i sistemit. Sepse ky sistem e ka bërë votën të pavlefshme dhe ne nuk zgjedhim dot.
Të gjitha të këqijat janë pasojë e kësaj pamundësie për të vendosur me votë. Të rikthejmë pushtetin e votës. Nëse nuk dimë të zgjedhim, ai nuk është faji jonë pastaj.
Çdo zgjidhje tjetër do të jetë një arnim i keq, sa për të mbuluar prapanicën për momentin, deri në “sherrin” e radhës.